“Vuçiç tha se Kosova është Serbi, Rama e provokoi prapë”

Mediat serbe


“Kurir” e “Blic” paralajmërojnë incident me delegacionin nga Kosova

vucic mediat serbe3_1Serbia dëshiron marrëdhënie të mira dhe komunikim më të mirë me Shqipërinë, zhvillim dhe një infrastrukturë më të mirë mes dy vendeve. Kjo ka qenë deklarata e bërë nga kreu i qeverisë serbe, Aleksandar Vuçiç, për gazetën bulevardeske serbe “Kurir”, një platformë mediatike, e cila dje, gjatë vizitës së kreut të ekzekutivit të Beogradit në Tiranë, duket se ka qenë tejet aktive, duke zbuluar shpesh edhe elemente të pakapshme nga mediat e tjera, të cilat janë komentuar shumë nga përdoruesit e rrjeteve sociale e më gjerë në të dyja vendet. Ndërsa bën të ditura objektivat e qeverisë serbe në këtë vizitë, “Kurir” nis raportimin nga Tirana, duke aktualizuar publikun serb me të rejat më të fundit të vizitës, pasuar nga lajmet që vinin minutë pas minute edhe nga mediat e tjera serbe, të cilat transmetuan live momentet e vizitës, ku ra në sy sidomos ekzekutimi i himnit kombëtar të Republikës së Serbisë. Me këtë rast, ata theksuan se kjo ishte hera e parë që ai po këndohej pas 103 vitesh në tokën shqiptare. “Kurir” servirte posaçërisht për lexuesit e saj edhe zërin e Kryeministrit Vuçiç, që shoqëronte me këtë rast himnin ndërsa ekzekutohej. Në mediat serbe ra në sy sidomos theksimi i deklaratës së Vuçiç gjatë konferencës për shtyp, e cila u transmetua me tonet që serbëve u pëlqen t’i theksojnë: Kosova është Serbi! – duke u kthyer kësisoj dje atë në një kryetitull për thuajse të gjitha mediat serbe. Një element për t’u theksuar dje po nga “Kurir”, ishte dhe ai që lidhej me kërkesat e Ramës për respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, gjë e cila nga kjo media u komentua në formën e titullit: Rama provokon përsëri! Por “Kurir”-it i bën përshtypje edhe deklarata e Kryeministrit shqiptar për tejkalimin e barrierave mes palëve, çka u vu në dukje edhe nga media të tjera. Ndërkaq, televizioni i njohur me vokacion proeuropian në Serbi, “B92”, citonte deklaratat e dy liderëve nën titullin: Kryeministri shqiptar: Kemi diferenca. Vuçiç: Diferenca mes nesh, Kosova. Sipas saj, Kryeministri serb theksoi se në Tiranë përfaqëson zërin e qytetarëve serbë dhe se ishte i lumtur për marrëdhëniet mes vendeve, që sot janë më të mira se kurrë. Po ashtu, platforma në fjalë i bënte jehonë edhe qëndrimit të Kryeministrit shqiptar në lidhje me dialogun Prishtinë – Beograd, duke e vlerësuar atë si një derë e lënë hapur për hapjen e një kapitulli të rëndësishëm në përmirësimin e marrëdhënieve mes palëve. Por, nga ana tjetër, në raportime u fol edhe për detaje të cilat nuk do t’i kishin shkuar ndërmend askujt, duke krahasuar për shembull fotot mes dy liderëve apo dhe ngjyrën e kravatës, për të cilën “Kurir” shkruante se ajo e mbajtur nga Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ishte e kuqja dhe se kjo ishte bërë me qëllim nga lideri shqiptar për të treguar një lloj dominance kundrejt mysafirit, i cili në këtë rast, sipas tyre, ishte treguar i tërhequr dhe miqësor, duke mbajtur veshur kravatë me ngjyrë blu. “Njerëzit që veshin kravata të tilla, shkruan gazeta, janë të besueshëm në çdo rast, komunikues të mirë, kanë stil dhe i propagandojnë me entuziazëm idetë e tyre. Në të kundërt, vazhdon ‘Kurir’, Rama zgjodhi ngjyrën e kuqe, e cila besohet se tregon dëshirën për dominancë. Këtë ngjyrë kravate e zgjedhin njerëzit që duan të tregojnë mbifuqinë e tyre dhe ta mbajnë më fort nën kontroll një situatë të caktuar. Të tillë burra duan të bëjnë të ditur se pëlqejnë të jenë në qendër të vëmendjes”, përfundonte komentin e vet gazeta “Kurir”. Po ashtu, gazetat serbe vazhdojnë të shkruajnë për mundësinë e provokimeve të tjera gjatë ditës së sotme. “Blic” shkruan se nëse Isa Mustafa prezantohet si Kryeministër i Kosovës, atëherë delegacioni serb do të ngrihet dhe do të dalë nga salla. Mustafa është një nga kryeministrat e rajonit që do të marrë pjesë në samitin dyditor që zhvillohet në Tiranë. Ndërsa ministri serb i Punës, Aleksandër Vulin, thotë për “B92″, se ministri i Jashtëm kosovar, Hashim Thaçi, do të përpiqet ta çorientojë dhe provokojë Vuçiç. Ai thotë se shqiptarët nuk provokojnë rastësisht, pasi ata marrin garanci dhe mbështetje për këtë gjë, duke iu referuar perëndimorëve. “Kushdo që e njeh politikën e shqiptarëve e ka të qartë se ata nuk provokojnë rastësisht dhe shumë rrallë flasin pa një garanci. Ata gjithmonë marrin shënjestër nga duart e një tjetri”, thotë Vulin. Po ashtu, dje u vu re edhe një pjesëmarrje aktive në mediat e rrjeteve sociale, ku në njërën syresh veçohej porosia e një admirueseje të Kryeministrit Rama, e cila në një postim të bërë në profilin në FB të Kryeministrit Vuçiç, i ka kërkuar këtij të fundit ta përqafojë fort Ramën, pasi e konsideronte atë një mashkull “hot”.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button