Rama: Nano bëri marrëveshje antikombëtare për Rinasin

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Vlora se ish-kreu i Partisë Socialiste, Fatos Nano, ka bërë një marrëveshje antikombëtare, me dhënien me koncesion të aeroportit të Rinasit, në kohën kur ai drejtonte qeverinë.

Nga Vlora për prezantimin e kandidatëve për këshillat bashkiakë të Vlorës, kryeministri theksoi se që qeveria të bëjë një aeroport të ri, duhet që t’i marrë lejë kompanisë që ka ekskluzivitetin e aeroportit të Rinasit.

“Për fat të keq një qeveri socialiste ka bërë një marrëveshje tërësisht antikombëtare me koncesionin e dhënë për aeroportin e Tiranës duke i dhënë ekskluzivitetin asaj kompani për të gjithë qiellin e Shqipërisë. Që ne të bëjmë një aeroport tjetër duhet të marrim leje nga ata. Ne po negociojmë dhe negociatat janë në drejtimin e duhur. Ne me një aeroport Shqipërinë nuk e lëmë. Ambicia jonë është që t’i hapim rrugë dy projekteve të mëdha për Vlorën. Aeroporti është pjesë e projektit”.

Rama foli edhe për projektin e Lungo Mares, që sipas tij, po sulmohet qëllimisht nga opozita.

“Lungo Mare ka pasur tre projekte, dy të financuara nga qeveria shqiptare dhe një nga BE. Do të jetë ashtu siç jemi zotuar. Nuk do të ketë jo dallim, por as për t’u pasur zili vijave bregdetare të qyteteve më të vizituara të Mesdheut”.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button