Fatos Klosi: Kërcënimet e Berishës ndaj Ramës tregojnë frikë nga “drejtësia”, prokuroria ka fakte kundër tij…

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi komentoi ditën e djeshme deklaratat e ish-kryeministrit Sali Berisha se në 21 janar kishte urdhëruar vrasjen e Edi Ramës.
Fatos Klosi u shpreh se këto deklarata Berisha i bën me qëllim që të tregojë se nuk ka frikë. Por sipas tij, ish-lideri demokrat është i trembur nga reforma në drejtësi, mirëpo kërkon të fshihet përmes deklaratave duke u hequr sikur çdo është në rregull.
Ai e cilësoi deklaratën e Sali Berishës si çmenduri të radhës dhe absurde. “Çmenduri e radhës. Ai do të tregojë siguri me këtë. Ai do të tregojë se nuk e ka frikë fare të thotë një gjë të tillë, kërkon të hiqet si burrë, kërkon të tregojë siguri.
Ai është i trembur nga reforma në drejtësi dhe mundohet ta fshehë sipas meje këtë frikë duke thënë gjëra të tilla, duke thënë që shiko unë i them e nuk kam frikë.
Por kjo vjen puna për të qëlluar ka ca rregulla, si për Gardën si për policinë se kur duhet qëlluar dhe kur duhet përdorur arma. Çfarë shpresonte ai që Edi Rama do të kapërcente gardhin e Kryeministrisë, do të futej brenda në Kryeministri dhe ai do të qëllonte? Kjo është absurde, gjithë skenari që ai ka menduar është absurd”, deklaroi per ‘sot’ ish-kreu i SHISH.
Fatos Klosi kembenguli se për Sali Berishën duhet të hapet hetim penal, në mënyrë që ai të përballet me drejtësinë. Ai nënvizoi se hetimi penal nga Prokuroria e Përgjithshme mund të hapet edhe për rastin në fjalë, pra për deklaratat kërcënuese kundrejt Edi Ramës, por shtoi se Berisha ka kryer vepra të tjera shumë herë më të rënda me të cilat mund të merret organi i akuzës.
“Prokuroria e Përgjithshme ka shumë raste ku mund të hapë një hetim për Sali Berishën. Mbase edhe kjo është një nga këto, por kjo është një deklaratë. Prokuroria e Përgjithshme ka fakte pafund ku ai është përgjegjësi kryesor. Ky e ka thënë një gjë të tillë për tu mburrur, por kam frikë se kur të shkojë në prokurori do ta mohojë ose do të thotë se deklarata është keqkuptuar.
Por për atë ka raste pafund, vetë rasti i 21 janarit është një problem i madh. Zhdukja e kasetës me filmimet e 21 janarit është një përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe se ajo është zhdukur me urdhër të Berishës. Mjekimi i njerëzve të Gardës, mbajta e njerëzve të Gardës 3 ditë brenda Kryeministrisë që të mos dilte jashtë e të mos kishte kontakt me gazetarët dhe me popullin është prapë një urdhër i tij.
Nuk guxonte askush të shtinte mbi turmën sepse është në kundërshtim me rregullat. Turma ishte jashtë, ata që u vranë, u vranë në bulevard dhe jo brenda gardhit. Edhe sikur të ishin futur brenda Kryeministrisë, ata duhet ta kishin përdorur armën vetëm nëse do të rrezikohej jeta e dikujt”, tha ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror.
Fatos Klosi, përsëriti edhe një herë se dosja e “21 janarit”, ku u vranë katër protestues, duhet të hapet një herë e mirë, në mënyrë që urdhëruesit të përballen me drejtësinë dhe të marrin përgjegjësitë e tyre. Sipas tij, një gjë e tillë duhet bërë sa më shpejt sepse janë dënuar vetëm njerëz dytësorë.
“‘21 janari’ duhet rihapur sa më shpejt sepse u dënuan shumë pak, jo proporcionalisht me jetët e humbura. U dënuan njerëzit e fundit fare, ata kishin marrë urdhër, nuk ishin budallenj të shtinin pa urdhër, por problemi është kush e dha urdhrin. Ai duhet dënuar”, u shpreh ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi./ZgjohuShqiptar.info

NA NDIQNI EDHE NE FACEBOOK JU LUTEMI!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

loading...
Back to top button