Deprecated: stristr(): Non-string needles will be interpreted as strings in the future. Use an explicit chr() call to preserve the current behavior in /var/www/vhosts/zgjohushqiptar.com.al/zgjohushqiptar.al/wp-content/plugins/a2-w3-total-cache/lib/W3/PgCache.php on line 1054
A është Kosova një oaz turk? | My CMS

A është Kosova një oaz turk?

Nga Bedri Islami – Krejt papritur, Shërbimi Inteligjent dhe Policia e Kosovës, në mëngjesin e djeshëm, arrestuan 5 mësues të kolegjeve turke në Prishtinë dhe një mjek, i cili është ndër donatorët kryesorë të këtyre shkollave, që duhet pranuar, janë ndër më të mirat në Kosovë.
Arrestimi e, më pas, deportimi i tyre i rrufeshëm, pa i dhënë kohë as të apelojnë një vendim, sipas detyrimeve ligjore të vetë Kosovës, do të thotë se pas kësaj qëndrojnë shumë më tepër se dëshirat e një shërbimi dhe të një strukture policore.
Si duket, gjithçka ka qenë e përgatitur që më parë dhe është pritur vetëm momenti i deportimit, i cili, edhe pse deri tani, nga ekzekutuesit nuk është paraqitur asnjë tagër ligjor, ka ngritur shumë dyshime dhe hamendje; që nga njerëzit që qëndrojnë pas kësaj goditje dhe deri tek pamundësia e dy nga tre njerëzit liderë të shtetit, të cilët deklaruan haptas se ata nuk kanë ditur asgjë ndaj këtij aksioni. Ramush Haredinaj dhe Kadri Veseli duket se ishin edhe një herë jashtë lojës politike që po luhet në paskulisat e një shfaqjeje të madhe, që në fund, të jeni të bindur, nuk do të ketë duartrokitës dhe as lule.
Erdogani, presidenti turk është tashmë i njohur për disa gjëra themelore: ai po shket drejt radikalizmit islam, duke patur në frymëmarrjen e tij politike një duhmë të rëndë osmallinjsh; në drejtimin e shtetit ai është ndër më autokratët dhe, shpesh herë, mediat serioze kanë sjellë dëshmi për korrupsionin e njeshëm të familjarëve të tij: njihet si njeriu që troket më së pari në portën ruse, duke i kthyer shpinën perëndimit; askush si ai nuk e ka përdorur një grusht shteti, për të cilin ndoshta ka qenë në dijeni, për të sulmuar kundërshtarët e tij politikë, në të gjitha fushat; e në fund, por më e rëndësishme, ai ka nëpërkëmbur brutalisht të drejtat qytetare në vendin e tij, duke mbushur burgjet, jo vetëm me të akuzuarit, por edhe të afërmit e tyre, kur nuk i gjen ato.
Prej kohe Erdogani, i cili është në fakt një sulltan në miniaturë dhe po e ushtron pushtetin sulltanor nga pallati i tij presidencial, i ka shpallur luftë të hapur gulinizmit, një term i nxjerë nga vetë ai në kundërshtim me idetë e ish-mikut të dikurshëm dhe armikut të tashëm, Gulen.
Zanafilla e luftës nuk është grushti i shtetit; ai i sherbeu Erdoganit pr të mprehur shpatën dhe kërkoi me ngulm që e gjithë bota të luante vallen që ofronte ai: një valle e rëndë, brutale, që shkërmoqte jetë njerëzish.
E gjithë bota civilizuese e nëpërkëmb kërkesën e tij. Megjithatë ai mbajti në burg gazetarë të huaj, pa asnjë shkak, si presion të lojës së tij, “ ju kthej këtë, më jepni atë”, përsëri, në asnjë rast, askush nuk e vuri mbi kokë çallmën e mendimit osman të Erdoganit, nuk i mori seriozisht thirrjet e tij dhe vazhdoi të ketë jetën e zakonshme.
Edhe Shqipëria, pavarësisht se aty gjendet njëri ndër miqtë e afërt të tij, shefi i qeverisë, Rama, nuk ia mori parasysh kërcënimet dhe kërkesat ultimative; në të kundërtën, ajo vlerësoi se shkollat e kolegjet turke janë ndër më seriozët në këtë vend dhe se, në këtë rast, pavarësisht se në politikën e jashtme dhe në ekonomi, Turqia ka filluar të ketë prioritet, askush nuk u arrestua që të deportohet, si gjithnjë në këto raste, të prangosur.
Kosova e bëri këtë. Hamendjet janë të shumta për njerëzit që qëndrojnë pas kësaj ngjarjeje, por, edhe pse një vend me shumicë dërmuese të besimit islam, Kosova nuk është shquar asnjëherë për osmanllëk, e aq më tepër për osmanllëk politik.
Në Kosovë ka disa grupe radikale islame; ka predikues të një rryme të ashpër, shumë të ashpër, nga të cilët janë nxitur dhjetra e dhjetra të rinj të shkojnë dhe të bashkohen me IS-is apo me forca të tjera xhihadiste.
Në zona të veçanta të Kosovës, sidomos në Mitrovicë, në Prizren, në Gjakovë etj, krejt haptas, hoxhallarë rebelë janë bërë ushqyes të linjës së ashpër vehabiste, por, edhe kur ndodh që të gjykohen, ata gëzojnë lirinë. Dhe vazhdojnë me predikimet e hasmërisë, duke marrë gjithnjë e më shumë terren në hapësirën e besimit islam.
Ndaj tyre, as Shërbimi Inteligjent, as Policia e Kosovës, as strukturat e drejtësisë, nuk kanë reaguar si duhet; në të kundërtën, deri tani, ata janë mposhtur prej tyre.
Ndërsa, kur është fjala për 5 mësues dhe një mjek, krejtësisht të qetë në rrugën e tyre, dhe, për më tepër, në tejkalim të procedurave ligjore, pa asnjë qartësim pse ndodhi e gjithë kjo, shumëfishohen shpejtësitë.
Kosova bëhet kështu shteti i parë europian që ndërmerr këtë veprim, i cili, më shumë se gjithçka tjetër, është sjellje politike.
Të duket sikur, që nga pallati presidencial i Ankarasë janë nisur urdhërat për të vepruar, si një shembull për shtet e tjerë.
Por Kosova nuk është oaz i shtetit turk. Marëdhëniet miqësore nuk janë ata që mbisundojnë mbi ligjet dhe mbi vetë shtetin.
Nëse kjo do të kishte ndodhur në një shtet tjetër gjërat do të ishin ndërmarrë me seriozitet, të justifikuara ligjërisht dhe vetëm pas shkaqeve të forta.
Përceptimi i politikës dhe i shtetit në mendësi vasale dhe krejtësisht bindëse nuk është seriozitet i institucioneve, aq më tepër kur edhe ata vetë nuk merren vesh me njëri-tjetrin.
Nga Kosova duheshin zbuar, ose më saktë, u duhej treguar vendi shumë predikuesve radikalë, të cilët, në disa raste, edhe pse mund të duket e çuditshme, në mediat e tyre ushqehen nga linja serbe, edhe jashtë shtetit serb. Tolerimi i bërë ndër vite ka rënduar në Bashkësinë Islame të Kosovës, por tani sjellja ndaj tyre, gjithnjë e më shumë liberale, shoqërohet edhe me shfaqje të një natyre krejt tjetër.
A duheshin deportuar kaq urgjentisht 5 mësues të kolegjeve turke në Kosovë dhe një mjek?
Akoma nuk kanë filluar të qartësohen passkenat e ndodhura. E vetmja gjë që dihet është se ky është rasti i parë kur presidenti turk mund të ndjehet si në shtëpinë e tij dhe kur para vetes gjen zotër të shtëpisë që janë gati të zbulojnë çatinë e tyre për hatër të një qëndrimi anadollak ndaj lirisë njerëzore.
Kosova nuk është oaz i shtetitturk. Nëse ka njerëz të politikës që ende nuk e kanë mësuar, e kanë gjithë kohën e duhur ta mësojnë këtë, para se të largohen nga politika.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button