Deprecated: stristr(): Non-string needles will be interpreted as strings in the future. Use an explicit chr() call to preserve the current behavior in /var/www/vhosts/zgjohushqiptar.com.al/zgjohushqiptar.al/wp-content/plugins/a2-w3-total-cache/lib/W3/PgCache.php on line 1054
Historiani i njohur: Pse kërkoj që UNESCO të ruajë trashëgiminë kulturore të Çamërisë - My CMS

Historiani i njohur: Pse kërkoj që UNESCO të ruajë trashëgiminë kulturore të Çamërisë

NEXHAT MERXHUSHI
Për 19 Prillin, edhe shqiptarët e Çamërisë kanë për të thënë diçka për Monumentet e Kulturës. Në këtë shkrim jam përpjekur të hedh dritë mbi disa vlera të kulturës materiale të Çamërisë. Këto vlera, që zakonisht emërtohen si Monumente të Trashëgimisë, e kanë një origjinë, një funksion dhe një komunitet që i kanë shërbyer.
Europa e kulturuar demokratike i njeh këto objekte të piketuara dhe nga Organizata Ndërkombëtare pranë OKBsë, UNESKO-s gjithashtu dhe nga historianë grekë, që merren me këto objekte kulturore-historike.
Zëri im në këtë shkrim ka një të vërtetë nëpërmjet dy burimeve: I pari- Unë kam lindur në Paramithi (Çamëri) dhe sot jam 83 vjeç. Disa prej këtyre objekteve i kam parë dhe prekur. Dhe burimi i dytë, kam shfrytëzuar studiues grekë dhe europianë. Kur isha fëmijë, unë luaja me shokë në rrënojat e gurta të mbetjeve arkeologjike të qytetit të lashtë të Paramithisë dhe nuk dija ku luaja.
Më vonë kuptova se çfarë emra dhe objekte të shenjta kisha shkelur. Studiuesve që u intereson kultura kombëtare, u them se mund t’u vlejnë për t’i vënë në jetë, d.m.th, t’i integrojnë në historinë tonë kombëtare, këto vlera materiale.
Problemi i trashëgimisë kulturore dhe historike nuk duhet trajtuar si politik, pasi objekti i këtij studimi është thjesht shkencor dhe si i tillë nuk duhet anashkaluar, sepse i shërben njerëzimit, por natyrisht edhe vendit ku është kultivuar- shqiptarëve të Çamërisë dhe çamëve, Shqipërisë dhe shqiptarëve, Greqisë dhe grekëve, Europës dhe europianëve.

Deklarata e OKB-së e vitit 1966 thotë: “Të gjitha kulturat bëjnë pjesë në Trashëgiminë e Përbashkët të Njerëzimit”. Si krime kundër njerëzimit janë edhe shkelja e të drejtave ekonomike, politike dhe kulturore të popullsisë autoktone.
Studiuesi anglez Xheims Petifer, që merret edhe me trashëgiminë e vlerave kulturore të shqiptarëve të Çamërisë, duke parë se Greqia i ka lënë në pikë të hallit, thotë: “Në qoftë se nuk merren masa të shpejta, Europa do të ketë humbur një pjesëz të mahnitshme të së kaluarës së saj otomane”. (Gazeta “Telegraf”, 1 tetor 2015). Shteti mund t’i nënvleftë- sojë shumë herë këto probleme, shkenca dhe shkencëtarët jo.
Disidenti hungarez i shek XX, thotë: “Trashëgimia nuk është emocion historik, nuk është revolucion shoqëror, nuk është themelim feje. Trashëgimia është prehje përfundimtare e së vërtetës”. (disidenti hungarez i shek XX, Bela Hamvash) Dhe së fundi, historiani amerikan Scharls M. Andreys, shkruan: “Niveli i qytetërimit të një vendi varet nga fakti se sa i kushtohet kujdes e rëndësi ruajtjes së monumenteve të së kaluarës së tij”. (Historiani Scharls M. Andreys) Me të drejtë, studiuesi anglez Xheims Petifer, për këtë problem, jep alarmin. “Sot, Epiri bashkëkohor karakterizohet nga një zbrazëti shpirtërore.

Ndërtesat e vjetra të Epirit të Çamërisë përbëjnë një nga zonat më të rëndësishme të periudhës veneriane dhe otomane. Gjendja e mjerueshme e këtyre monumenteve, të lëna mbas dore nga qeveria greke duhet të bëhet shqetësim ndërkombëtar. Varrezat e myslimanëve janë përdhosur nga ndërtimet pa leje”. ( Gazeta “Telegraf”, 1 tetor 2015) Shumë ligje te BE-së, Greqia nuk i ka përshtatur brenda legjislacionit kombëtar grekë.
Gjykimi me vërtetësi i trashëgimisë është i lidhur me identitetin dhe autoktoninë e një populli. Shqiptarët e Çamërisë kanë qenë në ato vende prej shekujsh. Për këto territore, Tukididi thoshte: “Barbarët nuk ishin greqishtfolës”. (vepra 1-46-4).
Kurse Straboni thoshte: “Ai (Homeri) i njihte mirë gjithë helenët, deri te tesprotët, që nuk ishin helenë”. Po të flasim për autoktoninë tonë shqiptare, kemi shumë për të thënë, por dua të përmend autorët e vonët grekë, Vasil Krapsiti dhe Jani Sharra, që në veprat e tyre shpesh kanë shkruar: “Çamët me origjinë shqiptare ishin banorë autoktonë”.
Prandaj, sot ngremë zërin, që vlerat monumentale të së kaluarës, duhen ruajtur si vlera të një populli vital dhe të vjetër, që ka ruajtur gjuhen shqipe, duke mos pasur shkolla, por ka dorë në këto vlera historike, ka mënyrën e jetesës dhe që ka tërhequr vëmendjen e shumë studiuesve botërorë.
Unë jam munduar të vë në dukje disa vlera historiko-kulturore të qytetit tim, Paramithisë, që sipas enciklopedisë greke: “Paramithia është kërthiza e Çamërisë”.(Enciklopedia e Madhe Helenike e vitit 1856, volumi 23, faqe 405).
Më shumë kam folur në gjuhën e të huajve, por edhe të vetë grekëve. Historiani grek V. Krapsiti përforcon thëniet e shumë të tjerëve për Paramithinë. “Në këto territore, (Tesproti-Çamëri) janë zbuluar shenja jete, që në Periudhën e Paleolitit (40000 vjet para Krishtit, ndoshta edhe më herët”. (Vasil Krapsiti te libri “Istoria tis Paramithjas”, 1986, faqe 115) Nuk dëshiroj t’i paragjykoj, por si politika, ashtu edhe kisha greke, kam bindjen, që menjëherë do vënë alarmin se shqiptarët janë irredentistë dhe duan të na marrin tokat “tona”.
19 Prilli i vitit 2018 është caktuar nga UNESCO si “Dita ndërkombëtare e monumenteve të kulturës dhe siteve arkeologjike”. Në këtë ditë përkujtimore, ne intelektualët çamë i bëjmë thirrje organizatës ndërkombëtare UNESCO-s, Monumens in Danger (Monumenteve në Rrezik), Save Europe’s Heritage (Organizatës Britanike, Ruani Pasurinë e Europës), institucioneve pranë Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, Galerisë së Arteve etj., të marrin masa që kjo trashëgimi kulturore-historike të ruhet si vlerë kulturore për t’i shërbyer njerëzimit. Këtu poshtë po japim të dhëna për monumentet e kulturës historike në territorin e Thesprotisë (Çamërisë).
DODONA
Shtrihet në L.P. të lartësive 1658m të Malit Korrilla të Paramithisë, që zbret butë dhe gradualisht në luginën e këtij qyteti të lashtë. Quhet Dodona e Thesprotisë ose Thesprotia e Dodonës. Fjalën ‘Thesproti’ çamët e shpjegonin edhe kështu: thes-i (vend) dhe proto-i (i parë), vend i parë. Autorët grekë, Spiro Muselimi (“Shëtitje historike nëpër Thesproti”, faqe 692) dhe Vasil Krapsiti, (“I myslimani Camidhes tis Thesprotias”, faqe 115) thonë se kjo kullë është ndërtuar nga venecianët në vitin 1200, gjë për të cilën, që të dy nuk ishin fort të bindur. Kur Ali Pasha kalonte nga Paramithia, qëndronte në kullë. Në majë të kullës kishte një ulli. Kulla ishte ndërtuar me gurë të latuar, karakteristikë e ndërtesave të këtij qyteti.

LAGJJA “TSARDAKIA” NË PARAMITHI
Në këtë lagje “Tsardakia” (Shardhaqa), sipas autorit grek Vasil Krapsiti, kishte: mbetje arkeologjike, si vegla guri, qeramika që datojnë që nga Epoka e Paleolitit (Guri i Vjetër – 40.000 vjet para lindjes së Krishtit) e deri në Epokën e Bakrit. Në këtë lagje ka mure shumëkëndëshe dhe varre në formë kutie, që dëshmojnë për kulturën mikene. (V. Krapsiti, “Historia tis Paramithias”, Athinë 1985, fq. 63). Në këtë lagje banonte familja e Merxhushejve.
XHAMIA VASILIUS (E MBRETIT)
Sipas Krapsitis, kjo xhami është ndërtuar më 1490 nga Sulltan Bajaziti (fq. 115). Autori Krapsiti, thoshte se për origjinën e kësaj xhamie, flet një dokument i vjetër, që ndodhet në Dhimarhion (komunën) e Paramithisë.
Në këtë xhami, me lejen e administratorit të saj, Hafuz Dules, ne fëmijët bëmë 2-3 muaj mësim për gjuhën shqipe. Ishte xhamia më e vjetër në Ballkan. (V. Krapsiti te libri i tij thotë se për këtë xhami ndodhet një dokument në Dhimarhion, komunën e Paramithisë, fq 75).
Në kohën time quhej ta hallazmata (të prishurat). Dhe me të vërtetë kishte mure gjysmë të prishura dhe disa guva ku ne fëmijët loznim, pa e ditur se ku. Veç kësaj, kishte dhe një kështjellë të vogël në Gallata. Në këtë kështjellë ka mjaft mbetje arkeologjike. Hulumtuesi anglez, piktori Eduart Lir, është shprehur:
“Në veri të këtij qyteti vihej re Kështjella e Gurtë, mbështetur pas maleve e shpateve në forma të magjishme. Para se të largohesha nga ky qytet i lashtë, realizova portretin e një vajze shqiptare nga Paramithia. Vajza kishte një hijeshi e bukuri të mahnitshme”. (Vasil Krapsiti, fq 115 dhe gazeta “Tirana Observer”, dt 31.07.2015).

BRONXET
Në “Muzeum British” të Londrës, në dhomën 70, ka një mbishkrim të tillë: “Statujë prej bronzi, gjetur nga disa fshatarë thesprotas (shqiptarë-çamë) të Paramithisë më 1771”. “Këto statuja i përkasin perëndeshës romake të dashurisë, Venusit, dhe janë pronë e një shtëpie të pasur Romake”. (Henri Holland- anglez) Holland vazhdon: “Janë 8 figura të plota bronzi, që thuhet se janë nga Paramithia.
Ka dy Jupiterë dhe një Apolon, nga më të bukurat në botë”. Ministria jonë e Kulturës, kur të ketë kohë, le të shkojë t’i shikojë. (Henri Holland, studiues anglez, te “Ravles in the Jonian Isles Albania (Shqipëri), Thesali, Maqedoni, Byron, gjatë viteve 1812-’13, Londër 1815) Nikolas Hammond, studiues i historisë antike greke te libri “Epiri” thotë: “Pjesa më e madhe e këtyre bronzeve u blenë më 1798 nga dy udhëtarë anglez; Peini dhe Knaiti, që i paraqitën në muzeun britanik.
VIJA EGNATIA
Kjo rrugë fillonte në Epidamus dhe kalonte mbi shtëpitë tona. Nga qendra e Paramithisë (pazari) dhe deri te kjo rrugë, distanca ishte 2.6km. (sipas hartës greke 1:130.000) Sipas thënieve, emrin e kishte marrë nga çamët: e glatë është. (Shih skicën e mësipërme). “Studiuesi Niko Stillos, Arvanitas, me pasion dhe dëshirë për të gërmuar në vlera të kulturës të shqiptarëve të Çamërisë ka gjetur një pllakë varri që daton në shek. V të pas Krishtit, në fshatin Huvjan të Paramithisë, ku shkruhej: “Unë sitë ula, pres teksa hij në rrotullimet e Diellit, gjithnjë duke rënkuar”.
LLABOVO
Sami Frashëri për Paramithinë dhe Llabovon “Është Kasaba dhe njihet për tregti dhe në javën e fundit të shtatorit bëhej Llabovo”. Niko Zhango për Llabovon “Çdo vit në Paramithi, javën e fundit të shtatorit, bëhej Llabovo (Panair). Dy ditë përpara vinin çamë nga gjithë Çamëria. Ata, hipur nëpër kuaj elegantë me kostumet karakteristike të tyre, zbrisnin nga kuajt dhe drejtoheshin në han.
Pastaj levendët çamë uleshin në kafe, gjithë hijerëndë me mustaqe të holla dhe me kalcet e bardha, binin në bisedë më vendësit për mallrat që do të tregtonin. Atë ditë s’kishte shtëpi paramithiote, që mos të priste miq, çamët leventë. S’kishte asgjë më shumë sesa madhështia, rregulli dhe pastërtia e këtij pazari”. (Niko Zhango te libri “Imperializmi anglez dhe lufta e popullit grek për liri”).
Këtë panair e përmend edhe Martin Lik më 1814 Xheims Petifer flet për një ndërtesë të madhe të pashait otoman në Margëllic dhe për një monument tjetër me vlerë, Xhamia Islamike e Ali Pashës në Janinë.
Duhet patjetër të bëhet një regjistër investor për monumentet e kulturës historike dhe kulturore. Në këto objekte historiko-kulturore, unë, fëmijë, luaja bashkë me shokët, por pa e ditur se ç’thesare fshihte ky qytet i lashtë i Thesprotisë (Çamërisë) Paramithia, objekte, të cilat tregojnë lashtësinë e këtij vendi, lashtësinë e këtij populli vital.
Ky artikull nuk është irredentist dhe as politik. Nuk jemi mësuar të gllabërojmë pronat e të tjerëve. Ky artikull është historik dhe kulturor. Vlerat e monumenteve të kulturës i takojnë gjithë njerëzimit, por edhe atij komuniteti shqiptar çam, që ka jetuar në ato territore prej shekujsh (që me krijimin e botës) dhe prandaj UNESCO nxjerr ligje për ruajtjen dhe restaurimin e këtyre vlerave.
Njëkohësisht është dhe një kundërpërgjigje për politikën dhe kishën greke, që sot duan t’i mohojnë edhe emrin kësaj nuseje shqiptare, që me plot mburrje, patrioti Murat Toptani i thotë: “O e bukura e dheut, parajsa shqiptare, e shtrenjta Çamëri!”./ZgjohuShqiptar.al

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button