Kur Berisha kritikonte Vetëvendosjen për dhunën në Kuvend
Një nga momentet më të debatuara të ditës së djeshme ishte ai kur ish-kryeministri Sali Berisha iu drejtua foltores së Kuvendit, por nuk u lejua nga forcat e Gardës.Interesant ishte fakti se gardistët u vendosën përpara foltores, për të mos e lejuar të flasë.Vetë Berisha tha se ky ishte një urdhër i Edi Ramës, jo i kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi.Ai foli ashpër pas seancës, duke kërkuar edhe djegien solemne të mandateve.Por një vit më parë, Sali Berisha kritikonte lëvizjen Vetëvendosje në Kosovë për përdorimin e praktikave të tilla në seancën e Kuvendit.“Partia e Vetëvendosjes është forca politike e vetme në Kosovë e cila thotë se, unë jam për bashkim kombëtar. E them me bindjen më të thellë se kjo formë pune që ndjek ajo, është absolutisht në kundërshtim me idealin e bashkimit kombëtar”, tha Berisha në ‘Zona e Lirë’ me Arian Çanin.“Nuk mund të ketë bashkim kombëtar duke përdorur dhunë në parlamentin e Kosovës. Nuk mund të ketë bashkim kombëtar pa bindur qytetarët e Kosovës, qytetarët e Shqipërisë dhe aleatët tanë. Gazi dhe dhuna janë të papranueshme”, tha Berisha.