Bashkimi nis kështu – nusja nga Peja e dhëndëri nga Berati

Si çdo shqiptar këndej kufiri edhe ajo kishte ëndërruar ta vizitonte Shqipërinë. Kjo u bë e mundur pothuajse për shumëkë vetëm nga paslufta. Shqipëria u bë destinacion i shqiptarëve të Kosovës për t’i kaluar pushimet e verës, kurse ndërtimi i “Rrugës së Kombit” shkurtoi kohën dhe rrugën për të vizituar Tiranën, Shkodrën, Durrësin, Beratin…, edhe gjatë vikendeve, shkruan sot, gazeta Zeri.Komunikimi ndërmjet të rinjve shqiptarë ka rikthyer traditën e martesës ndërmjet shqiptarëve matanë dhe këndej kufiri. Martesat ndërmjet tyre janë rritur pas luftës. Vajza nga Peja dhe djali nga Berati kanë lidhur martesë. Të dy familjet, ajo Pelaj e cila ka dhënë vajzën në Berat dhe Mahmutaj që ka marrë nusen nga Peja, kanë festuar jo vetëm martesën e fëmijëve, por edhe të një bashkim ndërmjet shqiptarëve të mohuar me vënien e kufirit ndërmjet trojeve shqiptare 105 vjet më parë (1912). Sytë i shndrisin dhe fytyra i shkëlqen derisa rrëfen lidhjen e saj me djalin nga Shqipëria. Vera Pelaj e kishte preferuar Beratin si qytet duke e tërhequr antikiteti i tij dhe arkitektura e rrallë e shtëpive ku çatitë janë vendosur njëra mbi tjetrën. Por nuk e kishte menduar se do të bëhej nuse në Berat.Ajo thotë se për herë të parë me bashkëshortin e saj Gazmend Mahmutajn janë takuar në Tiranë në kohë zgjedhjesh në Shqipëri në muajin qershor, vit ky kur fitoi mandatin e parë qeverisës Edi Rama. Ajo kishte qëlluar tek një shoqe në Tiranë për vizitë kur ishte takuar me njeriun e jetës së saj. Siç duket Vera edhe kishte lënë përshtypje tek djali nga Shqipëria. Para se ajo të mbërrinte në Kosovë do t’i arrinte ftesa për ta pranuar si shok në rrjetin social “Facebook”. “Isha takuar në një festë në një shoqëri të gjerë, pastaj filluam komunikimin në ‘Facebook’.Biseda jonë nisi duke biseduar për politikën sepse ai në atë kohë punonte në Ministrinë e Kulturës dhe po ashtu ishte i angazhuar në zgjedhje, kurse unë si gazetare më interesonte të dëgjoja më shumë për zgjedhjet tona atje”. Por biseda e tyre shumë shpejt do t’i kalojë kufijtë e politikës në atë të fushës së ndjenjave.Nga një miqësi lidhja e tyre do të kurorëzohet pasi Gazmendi merr hapin e parë dhe vjen në Prishtinë ku takon Verën dhe shpreh ndjenjat e tij ndaj saj.Dashuria është mbi të gjithaVera thotë se për herë të parë vizitoi Shqipërinë në vitin 2008 me shoqet e saj në bregdetin e Vlorës. “Deri atëherë nuk shkova sepse kisha frikë rrugën e vjetër. Kur dëgjoja për aksidentet dhe 12-13 orë rrugë mendoja se nuk ishte momenti i duhur për të vizituar ende Shqipërinë”. Ajo thotë se udhëtimin e parë e bëri me pasaportë të UNMIK-ut deri në Vlorë.“Kur kam kaluar kufirin në Qafëthanë ajri mu duk se ishte ndryshe, sepse për ne Shqipëria ishte një kohë më larg se Amerika dhe emocionet i kisha të papërshkruara, po bëja shkeljen e parë në tokën e Shqipërisë gjë që secili prej nesh e kemi ëndërruar si shqiptarë të Kosovës”.Gjatë kësaj vizite ajo me mikeshat e saj vendosin të vizitojnë disa vende që kishin parë në foto apo i kishin lexuar në libra. “Në vitin 2008 doja ta vizitoja edhe Beratin dhe në atë kohë jo vetëm nuk njihja Gazmendin, por as që më shkonte mendja se do të bëhesha nuse në këtë vend. Vizitova Beratin sepse me pëlqente për antikitetin e tij ato shtëpitë me dyer dhe dritare. Pavarësisht se modernia është e bukur unë me të ngopëm shpejt dhe Berati është qytet 2400-vjeçar, ka kalanë e dytë në Evropë të banuar me njerëz, prandaj dhe më bëri për vete së pari si qytet”.Ajo thotë se edhe në vitin 2009 kur do të shkojë sërish me shoqe për pushime, kësaj radhe në Durrës, prapë vizituan Beratin. Kurse herën e tretë thotë se në këtë qytet shkoi si nuse. Duke vizituar shpesh këtë vend ajo filloi të njihte mentalitetin më mirë. Ndonëse thotë se jemi një komb eksitojnë dallimet në dialekt apo në kulturën e jetesës. “Ne shqiptarët e Kosovës kemi diçka që shqiptarët e Shqipërisë nuk e kanë dhe anasjelltas. Gërshetimi i kulturave mendoja se do të ndikonte për mrekulli edhe te lindja e një fëmije ndërmjet dy të rinjve të mentaliteteve të ndryshme brenda kombit tonë. Vetë brenda Shqipërisë jugu ka një kulturë tjetër dhe veriu tjetër që është i përafërt me ne të Kosovës”.Pelaj thotë se e ka tërhequr edhe gjuha si flasin të Shqipërisë dhe intelektualët që ka nxjerrë ai vend. Sipas saj muzika, ushqimi, traditat e vjetra që ka ruajtur jugu i Shqipërisë dhe bregdetin… e bëjnë secilin të kthehet dhe një herë në atë vend. “Dashuria është mbi të gjitha dhe gjeografia shqiptare është Një për mua”, thotë Vera Pelaj në rrëfimin e saj për “Zërin”. Martesat ndërmjet banorëve të Kosovës dhe të Shqipërisë thyejnë kufirinVera si e diplomuar në letërsi shqipe nuk e pati problem asnjëherë komunikimin me familjen e Gazmendit. Por kur koha erdhi që Gazmendi ta takonte familjen e Verës, ai do të ketë drojë se nuk do të mundë të kuptohet me familjen e Verës për shkak të dialektit kosovar. Disa të Kosovës sesi flisnin ai nuk i kuptonte gjatë ardhjes në Prishtinë. “Fatmirësisht tani lëre që komunikojnë mirë shumë, por unë jam krenare që e duan shumë familja ime e ngushtë dhe e gjerë Gazmendin. Nuk e patën problem asnjëherë që unë të martohem me Gazmendin”.Planet e këtij çifti janë për të jetuar në Prishtinë. Të rinjtë kosovarë dhe ata të Shqipërisë po u kthehen rrënjëve. Vera bën të ditur se po rritet numri i martesave. Tani sipas saj ka shumë të rinj që njihen me njëri-tjetrin. “Pas luftës shumica nuk jemi kuptuar mes vete, ata nuk na kanë kuptuar dhe as ne ata, po flas në të përgjithshëm. Më shumë se gjuhën standarde ne flasim gjuhën e zonave”, thotë ajo duke treguar se tashmë nuk është problem që të kuptohen me njëri-tjetrin sepse komunikimi sipas saj ka bërë të veten. “Nuk po e quaj ndarje, por ata janë rritur në një frymë tjetër dhe këtu kemi dallime edhe si Dukagjini me Drenicën në dialekt…”.Derisa Vera pëlqen ushqimin beratas e sidomos djathin me vajin e ullirit edhe Gazmendi pëlqen ushqimin e Kosovës dhe sofrën e Pejës. Statistikat rreth martesave të tyre sipas institucioneve është vështirë të deklarohen si të sakta pasi që të rinjtë bëjnë kurorëzime edhe në Shqipëri. Martesat ndërmjet banorëve të Kosovës dhe të Shqipërisë kanë shënuar rritje që nga paslufta. Mirëpo shqiptarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë njihen të kenë bërë martesa edhe gjatë viteve të 40-ta. Mirëpo, me vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri këto martesa nisën të zbehen. Intelektualët shqiptarë dhe ata të familjeve që rrezikoheshin nga sundimi jugosllav iknin në Shqipëri ku kërkoni strehim dhe të vazhdonin jetën.Por, jo pak nga ta u burgosën dhe u vranë nga ky regjim. Një fat të tillë pësoi dhe çifti Boletini. Nënkolonel Adem Boletini, djali i Isa Boletinit, është ekzekutuar në Shkodër në vitin 1943. Kurse bashkëshortja e tij Adile Bekteshi Boletini, që ishte një vajzë dhe mësuese nga Shkodra, u arrestua dhe vuajti pesë vjet në burgjet komuniste. Ky regjim dhe ai jugosllav zbehu komunikimin dhe martesat ndërmjet shqiptarëve matanë kufirit për disa dekada.
ZgjohuShqiptar.info © 2017 Te gjitha te drejtat e rezervuara

Back to top button
LAJMET E FUNDIT