Pangallos: na duhet aleancë historike shqiptaro-greke, të ulemi me Edi Ramën
Paralelet e një interviste të ish-ministrit të jashtëm Pangallos, e cila, si papritmas, u zhduk nga Facebook-u, ndoshta pse ne kishim përdorur një kolonë zanore të intervistës së tij reale me gazetarin grek Dimopulos, megjithëse kishte dhjetëra mijëra kërkesa për ta ndjekur, dhjetëra mijëra shikime. Ismail Qemali, Pangallos i vjetër, Mitat Frashëri dhe këshilltari i Papandreut, Rondos.
Ditët e fundit ndodhi një dukuri shumë interesante. Konica.al publikoi një intervistë të kohëve të fundit të ish-Ministrit të Jashtëm grek, Teodoros Pangalos, në një radio greke. Një intervistë e jashtëzakonshme për çlirësinë e mendimit, një intervistë e dikujt që e njeh shumë mirë politikën, njeh shumë mirë marrëdhëniet shqiptaro-greke, që megjithatë është një moshë kur raporti me të vërtetën është një raport shumë i shëndetshëm. Është fjala për 79-vjeçarin Teodoros Pangalos, i cili ka qenë një figurë që i ka dhënë tonin politikës së jashtme greke dhe politikës greke në përgjithësi, në 40 vjet apo më shumë të historisë së saj së afërme. Njëkohësisht, intervistë e një njeriut i cili ka patur një fat të ngjashëm me atë të partisë së vet politike (emri i partisë), e cila tashmë është thuajse zhdukur nga skena politike. Pangalos ka qenë dhe është një personazh interesant për shkak të çlirtësisë së tij në konceptet e mendimet publike, politikan që si ministër i jashtëm ka guxuar ta quajë Gjermaninë një gjigant me tru foshnje. Pangallos në fund, por jo nga rëndësia, është një qytetar grek, arvanitas, pra që ka rrënjë të forta shqiptare. Nuk do të thotë që me patjetër kjo çlirtësi të lidhet me këto rrënjë: por duam të themi se pikërisht në këtë moshë të tijën politike, në këtë moshë të tij njerëzore në fund të fundit, në raportet e tij me të vërtetën është më i shëndetshëm se të tjerë. E në intervistën në fjalë, ai ka zgjedhur të flasë për një lloj aleance të re shqiptaro-greke, e cila duhet të vijë nga diskutimi, nga shtrimi në tavolinë i gjithë atyre që janë problemet më të mëdha të dy vendeve.
Fruti i këtij reflektimi në lidhje me intervistën në fjalë është origjina e këtyre ideve, apo kërkimi i paraleleve të këtyre ideve, me parathënës të tjerë. Pangalos ç’është e vërteta, ka folur edhe më herët për ato që janë marrëdhëniet e tij me shqipen, me kombin shqiptar, ndërsa fliste për gjyshen e tij e cila fliste arvanitika dhe nuk dinte greqisht. Në këtë intervistë të fundit, Pangalos flet për një marrëdhënie të re shqiptaro greke, duke nënkuptuar qartë një devijim të marrëdhënieve strategjike të Greqisë jo më drejt Serbisë si aks ortodoks, por drejt Shqipërisë. Pangallos citon disa prej momenteve që ka kaluar gjatë një vizite të fundit në Shqipëri, ku me ftesë të presidentit Nishani mori pjesë në 25 vjetorin e përkujtimit të rënies së komunizmit në Shqipëri:foli për një takim me Edi Ramën që tashmë është bërë si njëlloj dele e zezë e politikës greke; foli për një koncert ku shqiptarë dhe grekë kishin kënduar në qendrën kulturore të katedrales ortodokse. Ajo çka thotë Pangalosi në thelb lidhet me një miqësi të rilindur apo me një marrëveshje të re shqiptaro-greke, sepse në fund të fundit, thotë ai, ne jemi një rracë, jemi një fytyrë me shqiptarët dhe jo italianët, pavarësisht se përdorim këtë shprehjen italiane-stessa faccia, stessa razza.
Kështu që vendosa të ripërsëris disa prej gjykimeve të mia për këtë intervistë.
Kjo intervistë nuk është e vetmja në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-greke që flet në këtë qasje, a përafruese për dy kombet tona. Kjo intervistë është interesante sepse vjen pikërisht në një moment kur politika zyrtare greke nëpërmjet Ministrit të Jashtëm Kotzias apo nëpërmjet Ministrit të Mbrojtjes Kamenos, po flet për rrezikun e Shqipërisë së madhe. Ajo vjen në një moment kur një tjetër përfaqësues i rëndësishëm i dikurshëm i politikës së jashtme greke si Aleksandër Mallias, ish ambasadori grek në Tiranë por edhe në Uashington flet gjithashtu për një aleancë apo për një marrëdhënie të re shqiptaro-greke, për një lloj uljeje në tavolinë të përfaqësuesve të dy kombeve pavarësisht se ku jetojnë ata, në Shqipëri, në Kosovë apo në Maqedoni dhe për zgjidhjen në tavolinë të gjithë problemeve që karakterizojnë marrëdhënien midis dy vendeve, problemi historik dhe problemi aktual. Malliasi shkon më tutje kur thotë se ndoshta duhet dhënë njohja e Kosovës, (për këtë flet edhe Pangalos) në këmbim të pranimit të kufirit detar siç u pranua nga palët që ranë në dakord në marrëveshjen e 2007-ës.
Unë nuk kam ndërmend që të flas për dobinë e kësaj qasje, diçka që do ta bëj njëherë tjetër. Unë dua të përkujtoj që kjo qasje ka pararendës historikë. Më kujtohet në vitin 1999 kur po ky njeri, asokohe ministër i Jashtëm, Teodoros Pangalos, vizitoi Shqipërinë, dhe u gjenda brenda një takimi të tij me presidentin Meidani, (me cilësinë e këshilltarit të tij). Presidenti Mejdani propozoi një marrëveshje historike në fakt. Shqipëria asaj kohe ishte e izoluar, nuk kishte qarkullim të lirë midis dy vendeve, politika e shitjes së vizave, dhurimit të tyre, e pensioneve, ishte shumë aktivie si çmim për lojalitet pro grek. Presidenti Mejdani propozoi një zgjidhje që që vinte prej kohës së largët, 1926-ës, kur në krye të Greqisë ishte gjenerali, gjyshi i mysafirit të tij, Ministrit të Jashtëm, Teodoros Pangalos ndërsa në Shqipëri ishte president Ahmet Zogu. Marrëveshja e ripropozuar nënkuptonte qarkullimin e lirë në një zonë prej 15 km, në të dyja anët e kufirit, ku të dy palët, qytetarët e dy vendeve shkëmbenin produkte blegtorale, produkte bujqësore dhe në fund doganat e dy vendeve bënin bilancin dhe kujdeseshin që shkëmbimi të ishte në ekuilibër të plotë. Të dëgjonte për këtë marrëveshje, me siguri krijoi një lloj nostalgjie për bashkëbiseduesin grek , por as që mund të mendohet se ajo do realizohej. Në fund të fundit, Pangalos ishte dhe mbeti një përfaqësues besnik i politikës së jashtme greke të 40 vjetëve të fundit, pavarësisht se e majta përkundrejt Shqipërisë ka qenë, në gjykimin tim, gjithmonë e hapur.
Dhe çfarë mund të thuhet për pararendësin e Teodoros Pangalos, për gjyshin e tij, për gjeneralin Pangalos, i cili ishte autor i një grushti shteti në vitin 1926 dhe u largua nga pushteti po me një grusht shteti?
Teodoros Pangalos, i vjetri, ishte padyshim politikani apo kryeministri grek, gjatë sundimit të të cilit të cilit u njohën marrëdhëniet më të shkëlqyera midis dy vendeve. Dua të përmend dy momente. Së pari një intervistë të gjyshit Pangallos. Për këto marrëdhënie të shkëlqyera, kryeministri Pangallos ka folur në mënyrën më të mirë të mundshme në një intervistë në gazetën Korça. Gazeta Korça atëherë ishte gazetë e rëndësishme kombëtare, jo thjesht e Korçës, por e gjithë kombit, sepse dhe vetë Korça ishte një vatër e rëndësishme kombëtare gjithashtu. Ai flet për ato çfarë ishin hapat më të rëndësishme gjatë qeverisjes së tij të shkurtër një vjeçare, në marrëdhëniet shqiptaro greke, si ishte ndalimi i shpërnguljes së çamëve, ndalimi i funksionimit të sillogjeve të vorioepiriotëve dhe më në fund katër marrëveshje për të cilat është folur aso kohe dhe duhet të flitet gjatë. Dua të përqëndrohem tek njera. Një prej këtyre marrëveshjeve me Shqipërinë parashikonte njohjen e të drejtës së pronësisë për shqiptarët dhe kompensimin me vlerë tregu të këtyre pronave, që ishin shumë të mëdha, njësoj siç veprohej me pronat e britanikëve, francezëve apo pronat e gjermanëve. Pangalos pa kurrfarë mëdyshje, i cili fliste njëlloj si nipi i tij, ish ministri i jashtëm Teodoros Pangalos për afërsinë midis dy kombeve, që fliste arvanitika gjithashtu, pranonte që shqiptarët trajtoheshin në Greqi njëlloj si britanikët, si francezët apo si gjermanët për sa u takon të drejtave të pronësisë! Kur kjo marrëveshje shkoi në parlamentin grek, pasi u miratua, u firmos nga dy qeveritë, në komisionin e ekonomisë, një politikan grek tha: Vërtet ju besoni se ne mund tju kthejmë shqiptarëve, të kompensojmë pronat e shqiptarëve në Greqi? Kjo do të thoshte që i gjithë buxheti i Greqisë nuk do të mjaftonte për t’i kompensuar ato.
Në fakt dhe themeluesi i pavarësisë së shtetit shqiptar, Ismail Qemali e kishte eksploruar mundësinë e një shteti konfederativ, jo thjesht pse ishte bashkëshort i një grekeje. Madje dhe Mitat Frashëri e ka diskutuar me të djathtën greke në vitet e Luftës së dytë botërore.
Përtej Ismail Qemalit, Pangallosit të vjetër, Mitat Frashërit, në kohërat tona, a është vetëm Pangallos i riu, a është vetëm Mallias-i, që flet për një marrëveshje të re shqiptaro greke, që sipas arvanitasit të shquar kalon nga ulja në tavolinë me Edi Ramën? Jo, origjina e kësaj qasjeje është një ish këshilltar i kryeministrit Papandreu, Rondos në vitin 1999, kur NATO bombardonte Serbinë. Ky politikan largpamës grek, propozonte ndryshim radikal në marrëdhëniet e Greqisë me fqinjët e vet dhe Pangallos ripërcjell këto ide, që në gojën e tij kanë më shumë peshë. Mjaft me aksin ortodoks, sepse faktori shqiptar po forcohet, po bën aleancë me Perëndimin, ndaj ne si grekë duhet të bëjmë hesapet me ta. T’i bëjmë armiq, apo aleatë? Na leverdis t’i kemi aleatë, thoshte Rondos, diçka që e përsërit Pangallos.
Ishte kjo paralelja historike që vendosa ta ribëja për shkak të humbjes, për shkak të kërkesës së madhe për intervistën e Pangalosit të ri, që në fakt është 79 vjeç, që është në zgripin e jetës së tij politike dhe njerëzore. Pangalosi ka pasur një paraardhës, flet në të njëjtën linjë me të, për një marrëveshje të madhe midis dy kombeve, një marrëveshje në të cilën në themel vihen sigurisht borxhet reciproke dhe borxhi i pronave të shqiptarëve në Greqi, disa miliard euro, është më i madhi. Është një borxh për të cilin një analist tjetër i rëndësishëm i çështjes shqiptaro greke Tasos Teloglu në një intervistë që ma ka dhënë mua, thotë se “ky borxh gjendet në sirtarin tonë. Ju nuk keni ditur ta kërkoni, dhe nëse do të dini ta kërkoni ndonjëherë edhe do mund ta merrni.” Pra, shtrimi në tavolinë i problemeve nga një marrëdhënie strategjike e re shqiptaro-greke për të cilën flet Teodoros Pangalos i cili mjerisht nuk është më në politikën aktive greke…/konica.al