Përkujtohet iso-polifonia si vepër e UNESCO-s
Qendra Kulturore e Veprimtarive Folklorike Tiranë, në bashkëpunim me
Bashkinë Vlorë dhe Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare, me rastin e
10-vjetorit të shpalljes së Iso-Polifonisë si “Kryevepër e trashëgimisë
gojore të njerëzimit”, mbrojtur nga UNESCO do të organizojë një
festival Tipologjik Kombëtar të Iso Polifonisë në datat 20 dhe 21 nëntor
në ambientet e teatrit “Petro Marko”, Vlorë. “Iso-polifonia” jonë
popullore, kjo dukuri e jashtëzakonshme e të konceptuarit dhe e
komunikimit njerëzor është vendosur në vendin që meriton, në listën e
madhe të kryeveprave të botës shpirtërore të njerëzimit”, shkruhet në
njoftimin e drejtorisë së kulturës.
Kjo listë e kryeveprave në thelb përbëhet nga fenomene dhe shfaqje
dukurish të kulturave shpirtërore të popujve të ndryshëm të botës të
cilat qëndrojnë në themel të kulturës njerëzore, dhe që dallohen për
frymën dhe llojin unikal që ato përfaqësojnë. Iso-polifonia popullore
shqiptare, shpallet “Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit”,
mbrojtur nga UNESKO më 25 nëntor të vitit 2005, ndërkohë që data 25
nëntor është gjithashtu një ditë historike për mbarë trashëgiminë
kulturore të shqiptarëve por dhe për vetë Shqipërinë.
Në këtë ditë “Iso-polifonia popullore shqiptare” futet në listën e
“Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit” mbrojtur nga UNESCO,
fakt që u kumtua në të gjitha mediat e botës nga Dr. Koichiro Matscura,
Drejtor i Përgjithshëm i UNESCO-s, nga selia qendrore e UNESCO-s në
Paris. Në studimet e Prof. Vasil Toles, shkruhet se Iso-polifonia
shqiptare është realisht një ndër supervlerat e folklorit muzikor
shqiptar, por dhe të traditës botërore folklorike në përgjithësi.