UNESCO i thotë “jo” Kosovës
Fushata e ashpër e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO pati sukses.
Përkundër mbështetjes nga fuqitë e mëdha, Konferenca e Përgjithshme
votoi të hënën kundër pranimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të
Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën.
Kosova siguroi 92 vota pro, tri më pak se numri i nevojshëm. 50 shtete kundërshtuan, kurse 29 u shprehën abstenim.
Beogradi zyrtar pati paralajmëruar se do të bënte gjithçka që ishte e mundur që kjo çështje të dështonte.
(13:14) Rrëzohet kërkesa e Serbisë, për Kosovën do votohet sot
Fati i Kosovës në UNESCO do të mësohet sot. Përpjekja e Serbisë
për shtyrjen e votimit është hedhur poshtë nga Konferenca e
Përgjithshme që po zhvillohet në Paris. Kërkesa serbe u rrëzua me 89
vota kundër, 59 pro dhe 22 abstenim.
Fuqitë e Mëdha në mbështetje të Kosovës
Fuqitë e mëdha po e mbështesin anëtarësimin e Kosovës në UNESCO
edhe gjate debatit të ashpër që po zhvillohet qysh prej paradites së
sotme. SHBA-të, Britania, Gjermania, Franca, Italia dhe Austria në
fjalimet e tyre u shprehen kundër shtyrjes se votimit dhe pro
anëtarësimit te Kosovës në UNESCO.
Përfaqësuesit serbë kërkuan që diskutimi për Kosovën të shtyhet për
sesionin e radhës, me argumentin për t’i dhënë hapësirë dialogut. I
menjëhershëm ka qenë reagimi i përfaqësuesit të Britanisë së Madhe, i
cili theksoi se anëtarësimi i Kosovës në UNESCO dhe dialogu me Serbinë
në Bruksel janë dy çështje të ndara.
(12:28)
Paraditen e sotme ka nisur punimet Konferenca e 38-të e
Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën
dhe Kulturën (UNESCO), ku do të votohet kërkesa e Kosovës për t’u
anëtarësuar me të drejta të plota.