Fundosja e Maduros “frymëzon” kryedemokratin! Berisha shpreson te e njëjta gjë për Shqipërinë, mbron Lapajn dhe PARALAJMËRON Ramën

Ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë në mbrojtje të Adriatik Lapajt pas tensioneve të regjistruara këtë të diel në protestën e thirrur nga lëvizja “Shqipëria Bëhet”. Gjatë tubimit, i cili u mbajt para ambienteve të Kryeministrisë, pati përplasje mes protestuesve dhe efektivëve të policisë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha ka akuzuar qeverinë se po përdor policinë për të mbrojtur afera të mëdha korruptive.
Ish-kryeministri ka paralajmëruar përmes këtij postimi rivalin e tij politik, Edi Ramën, duke i thënë se do të ketë të njëjtin “fat” si presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, i cili u prangos një ditë më parë nga forcat amerikane.
“Stop terrorit ndaj protestuesve paqësor! Ramaduro në mbrojtje të mega-aferave të tij korruptive urdhëron policinë të dhunojë protestuesit para kryeministrisë! Shqiptarët do të rezervojnë fatin e Maduros”, shkruan Berisha.
Kujtojmë se protesta e Adriatik Lapajt u mbajt para ambienteve të Kryeministrisë aty ku dhe kreu i “Shqipëria Bëhet” është stacionuar prej më shumë se një muaji.