Pse Beogradi refuzon “ngrirjen” e marrëdhënieve me BE, por edhe vazhdimin e integrimit? Nga Zeljko Pantelic (Beograd)

Në Serbi, shumëkush heshti kur Vojislav Koštunica dhe rrethi i tij politik e hoqën integrimin euroatlantik dhe të ardhmen e Serbisë — nga agjenda kombëtare. Edhe sot, në një masë të madhe, shumë vazhdojnë të heshtin ndërsa Aleksandar Vuçiç po e fshin integrimin europian.
Presidenti i Serbisë, de facto, e ka ndalur vendin në rrugën e tij europiane. Mungesa e Serbisë në samitin më të fundit BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel nuk ishte rastësi apo incident i izoluar. Ishte një mesazh: Beogradi zyrtar nuk ka ndërmend të përmbushë kushtet e nevojshme për të vazhduar procesin e anëtarësimit në BE. Atë që një nacionalist “saloni” e nisi dekada më parë, tani po e përmbyll një radikal.
Edhe më shqetësuese për të ardhmen e Serbisë është fakti se edhe ata që e kundërshtojnë regjimin e Vuçiçit shpesh e drejtojnë zemërimin e tyre kundër Bashkimit Europian — duke ricikluar klishe dhe dezinformata të marra drejtpërdrejt nga kanalet propagandistike ruse dhe kineze, të amplifikuara nga mediat e tyre lokale në Beograd.
Autoritetet në Serbi nuk do ta ngrijnë formalisht procesin e integrimit në BE për një arsye të thjeshtë: mbijetesën. Pa fondet e BE-së, investimet europiane, remitancat e qytetarëve serbë jashtë vendit dhe — mbi të gjitha — pa bashkëpunimin ekonomik me shtetet anëtare të BE-së, Serbia do të përballej shumë shpejt me trazira sociale dhe kolaps financiar.
Në politikën e jashtme ekziston një rregull elementar: nëse nuk je në tryezë, je në menu. Regjimi në Beograd refuzon ta ulë Serbinë në tryezë me fqinjët e saj dhe me kontinentin të cilit i përket, por pret të shmangë pasojat duke ruajtur njëkohësisht përfitimet e të ashtuquajturës politikë “multivektoriale”.
Italianët kanë një shprehje për këtë logjikë: La botte piena e la moglie ubriaca — fuçia plot dhe gruaja e dehur. Në gjuhën tonë: edhe qengji, edhe paratë. Siç tregon historia, kjo rrallë funksionon. Serbia vazhdon të vuajë nga një kompleks superioriteti — trashëgimi e Jugosllavisë së Titos. Në Beograd ekziston ende bindja se është gabim i BE-së që Serbia nuk është anëtare, ndërkohë që Bullgaria, Rumania, Sllovakia dhe Hungaria janë. Përparimi i Malit të Zi tashmë e irriton Serbinë zyrtare; tronditja e vërtetë do të jetë Shqipëria — dhe shndërrimi i Serbisë në apendiksin e verbër të Europës, të anashkaluar nga korridore të mëdha si Via Carpatia dhe autostrada Adriatiko-Joniane.
Të paktën një mit mund të zhduket më në fund: ideja se problemet e Serbisë burojnë nga “fati gjeografik” dhe nga pozicioni i saj i supozuar në qendër të rivalitetit të fuqive të mëdha. Ky narrativ është i leverdishëm — dhe i rremë. Mali i Zi iu përshtat realitetit dhe ecën përpara. Beogradi, përkundrazi, vazhdon të veprojë mbi pritshmëri të fryra, duke këmbëngulur në barazi edhe aty ku qartazi nuk ka peshë.
Në vend që të shohë te Sllovakia dhe Hungaria — edhe nga këndvështrimi i tyre i shtrembëruar — prova se anëtarësimi në BE sjell përfitime, autoritetet serbe shfrytëzojnë simpatinë politike nga Budapesti dhe Bratislava për propagandë të brendshme, duke e paraqitur Serbinë si të respektuar dhe të pazëvendësueshme. Kjo injoron faktet bazë. Bashkimi Europian nuk është vetëm partneri më i madh tregtar i Serbisë; ai është shtëpia e 1.5 deri në 2 milionë serbëve, të cilët kanë qenë mbështetësit më të mëdhenj financiarë të Serbisë gjatë 25 viteve të fundit. Më shumë se tre milionë serbë jetojnë në vende të NATO-s — përfshirë BE-në, Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe Norvegjinë — duke dërguar rreth 5 miliardë euro në vit drejt Serbisë.
Në vitin 2024, tregtia e mallrave e Serbisë me BE-në arriti rreth 40 miliardë euro, me suficit kur përfshihen edhe shërbimet. Në kontrast, tregtia me Kinën është strukturalisht e pabalancuar, ndërsa ajo me Rusinë ka rënë ndjeshëm — e dominuar nga importet e energjisë. Serbët jashtë vendit dërgojnë dyfishin e parave që Serbia fiton nga eksportet e mallrave drejt Rusisë dhe Kinës së bashku. Pavarësisht kësaj realiteti, Beogradi e ka mbajtur qëllimisht Serbinë në një limbo gjeopolitike mes Rusisë, Kinës dhe Perëndimit, duke ushqyer propagandë anti-BE për më shumë se një dekadë.
Me ndihmën e narrativave të afërta me Kremlinin, BE-ja paraqitet si një fuqi koloniale — pavarësisht se është i vetmi partner i madh me të cilin Serbia ka suficit. Në të vërtetë, marrëdhëniet më asimetrike — dhe realisht koloniale — ekonomike të Serbisë janë me Rusinë dhe Kinën. Investimet nga Moska dhe Pekini janë korrozive, duke nxitur korrupsionin, kapjen e institucioneve dhe qeverisjen klienteliste. Efektet e tyre mbeten pak të raportuara kryesisht sepse gjyqësori në Serbi nuk është i pavarur dhe mediat kryesore kombëtare funksionojnë nën ndikim politik. Harku nga Samiti i Zagrebit i vitit 2000, ku Koštunica u prit me duartrokitje, deri te Samiti i Brukselit i vitit 2025, ku Serbia mungoi, përmbledh një çerek shekulli mundësish të humbura.
Politika është arti i së mundshmes. Tragjedia e Serbisë është se, me përjashtime të rralla, udhëheqësit e saj nuk e kanë praktikuar kurrë këtë art. Sot, Serbia është e bllokuar në rrugën e saj drejt BE-së jo kryesisht për shkak të mangësive teknike, por sepse përputhja me politikën e jashtme të BE-së — veçanërisht në lidhje me Rusinë — është bërë testi vendimtar. Që nga viti 2015, e sidomos pas pushtimit rus të Ukrainës, një numër gjithnjë e më i madh shtetesh anëtare të BE-së e kanë bërë këtë të qartë. Beogradi i kupton rreziqet. Ndonjëherë i injoron. Ndonjëherë i minimizon. Ndonjëherë i maskon diplomatikisht. Dhe ndonjëherë i sfidon hapur — siç ndodhi kur Presidenti Vuçiç mori pjesë në një paradë ushtarake në Moskë, pavarësisht paralajmërimeve të qarta nga kryeqytetet europiane.
Mungesa e Serbisë në samitin e Brukselit përbën një ngrirje de facto të integrimit të saj europian — pa guximin politik për ta thënë këtë hapur. Ndërkohë që Mali i Zi, Shqipëria dhe Moldavia ecin përpara, Serbia stagnon ose regreson. Komisioni Europian tani e përshkruan hapur Serbinë si një vend në regres. Tani përplasen dy narrativa: pretendimi i Serbisë për trajtim të padrejtë dhe vlerësimi i BE-së se Beogradi i jep përparësi Moskës ndaj Europës. Rezultati është mosbesimi strategjik. Politika e jashtme e Serbisë, si në barcaletën e vjetër për Mujon, Hasen dhe kosin, vazhdon të kërkojë atë që nuk është e disponueshme, ndërsa refuzon atë që i ofrohet.
Pengesat për integrimin në BE nuk kanë qenë kurrë teknike. Ato kanë qenë gjithmonë politike. Serbia është e aftë të humbasë mundësi. Edhe BE-ja mban përgjegjësi — veçanërisht për dështimin për ta ankoruar Serbinë në mënyrë vendimtare në fillim të viteve 2000. Por sot, zgjedhja nuk është më e paqartë. Rruga europiane e Serbisë nuk është e ngrirë sepse Beogradi nuk mund të ecë përpara. Ajo është e ngrirë sepse Beogradi nuk zgjedh.