Gazeta zvicerane korrigjoi artikullin, Besnik Bislimi reagon për dezinformatat: Asnjëherë s’kam pasur takime “të fshehta e sekrete” me Marko Gjuriç

Zëvendëskryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi ka reaguar pas publikimit të shkrimit të gazetës zvicerane “NZZ” për takimet në Solothurn, duke akuzuar mediat e Kosovës se e kanë keqinterpretuar atë me qëllim.

“Si Zëvendëskryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës apo në kapacitet tjetër, asnjëherë nuk kam pasur takime “të fshehta e sekrete”, e aq më pak me personazhe si Marko Gjuriq”, ka shkruar Bislimi.

Zëvendëskryeministri ka theksuar se do t’iu drejtohet institucioneve përgjegjëse përmes ankesës dhe padisë, duke akuzuar mediat në Kosovë për dezinformata të qëllimshme.

Gazeta zvicerane NZZ të martën ka publikuar një shkrim për ku përmenden biseda konfidenciale larg syrit të publikut të mbajtura në Zvicër. Megjithatë NZZ sot e ka ndryshuar artikullin, duke saktësuar që Besnik Bislimi dhe Marko Gjuriç s’janë takuar direkt por vetëm kanë qenë në të njëjtin aktivitet.

“Dezinformata të shumta dhe propagandë nga portale në Kosovë u përhapën dje duke keqinterpretuar qëllimshëm një artikull të gazetës zvicerane NZZ.

Është për keqardhje me sa lehtësi dhe shpejtësi krijohen dhe shpërndahen dezinformatat me synim informimin e rrejshëm ndaj opinionit publik dhe çorientim të së vërtetës”, ka shkruar më tej Besnik Bislimi.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT