Ylli Manjani nxjerr anëtarët e kabinetit, mesazhi për Opozitën: Më teknike se kjo, nuk kemi pasur qeveri! Mësoni si fitohen zgjedhjet, i lini broçkullat

Juristi Ylli Manjani ka publikuar emrat e të gjithë anëtarëve të kabinetit “Rama 4” dhe thotë se vendi nuk ka pasur një qeveri më teknike se aktualja. Sipas tij, Shqipëria ka nevojë për qeveri politike që të marrë përgjegjësi, ndaj opozita duhet të mësojë si fitohen zgjedhjet.

“Asnjë anëtar i qeverisë nuk është ftuar në kabinet për shkak të cilësive, kontributit, mendimit apo ideve politike. Asnjë anëtar i qeverisë është mandatuar nga strukturat e Partisë Socialiste që të quhen të mandatuar politikë.

Janë thjesht individë me cilësi personale e aftësi teknike. Ndoshta ata janë thjesht të besuarit e Kryeministrit, por jo të besuar apo mandatuar politikë. Në fakt i fundit ministër me natyrë politike në kabinet ka qenë Taulant Balla. Të gjitha qeveritë Rama të pas 2017-ës janë të natyrës teknike”, shkruan Manjani.

Ylli Manjani thekson se pavarësisht se përgjegjësia penale është munduar të zëvendësojë atë politike gjatë këtyre viteve të qeverisjes së socialistëve, sërish ajo nuk mund të zërë kurrë vendin e përgjegjësisë politike.

“Penalja në maksimum izolon individin, politikja izolon ekipin. Për kë ka interes shoqëria për individin apo ekipet e papërgjegjshme?!

Republika ka patur e ka nevojë për një qeveri politike, por jo më teknike. Me teknikë në përbërje qeveria nuk ka më përgjegjësi politike. Ose përgjegjësia politike individualizohet tek një njeri i vetëm, që sidoqoftë nuk është gjë e mirë.

Tani, të gjithë ata që kërkojnë qeveri teknike, sa teknike e duan, se nuk po i marrim vesh?! Duan që të mos ketë askush përgjegjësi politike fare?!”, vijon ai. Juristi thekson se tezat e opozitës dhe të tjerëve që kërkojnë qeveri teknike janë thjesht “idiote”.

“Sinqerisht nuk e kam kuptuar e as e kuptoj fare këtë tezë, për mua krejt idiote, që artikulohet në hapësirën politike e publike. Shto këtu edhe një mësim që rrefuzojmë ta mësojmë nga e shkuara:

sa here vendi ka qenë nën qeveri teknike apo tranzitore, ne kemi qenë në luftë me armë zjarri, kundër njëri-tjetrit kuptohet… Thirrini pak memories 35 vjeçare, se janë ende gjallë politikanët dhe teknicienët e qeverive tranzitore.

Opozita veçanërisht, duhet të mësojë si fitohen zgjedhjet e jo të flasë broçkulla pa llogjikë e pa sens. Vendi ka nevojë për qeveri politike dhe, që merr përgjegjësi politike, jo më qeveri teknike. Na duhet Qeveri politike jo thjesht Kryeministër politik”, përmbyll Ylli Manjani.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT