Udhëtarët e bllokuar në Brindisi mbërrijnë me traget në Vlorë, Taulant Balla thirrje “Wizz Air”: Respektoni të drejtat e pasagjerëve

Pasagjerët të cilët dy ditë më parë mbetën të bllokuar në aeroportin e Brindisit, kanë mbërritur mëngjesin e kësaj të enjte në Portin e Vlorës.
Lajmin për mbërritjen e tyre në Vlorë, e ka dhënë kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, i cili kishte një thirrje edhe për kompaninë ajrore “Wizz Air”.
Balla i bën thirrje “Wizz Air” që të respektojë të drejtat e pasagjeërëve, teksa ka postuar edhe linkun e të drejtave të tyre.
“Bashkatdhetarët të cilët mbetën të bllokuar në aeroportin e Brindisit kanë mbërritur sot në mëngjes në Portin e Vlorës. E përsëris edhe një herë thirrjen për Kompaninë Wizz Air të respektojë siç duhet të Drejtat e Pasagjerit!!!”, shkruan Balla në postimin e tij.
Kujtojmë që dy ditë më parë, 400 pasagjerë u revoltuan, pasi dy fluturime të Wizz Air që ishin nisur për në Tiranë, u devijuan për shkak të motit të keq që ka përfshirë vendin tonë. Dy avionët, njëri i nisur nga Bolonja dhe tjetri nga Bergamo për në Tiranë, kanë bërë një ulje emergjente në aeroportin e Salentos, ku kanë mbërritur gjatë natës rreth orës 3.
“Wizz Air” ëshrë një nga kompanitë ajrore më problematike që operon në vendin tonë. Shpesh herë fluturimet e kësaj kompanie vonohen me orë të gjata, duke bërë që shpesh herë pasagjerët të ankohen për shërbimin e marrë.