Nga dëmshpërblimi për tokat dhe banesat e përmbytura, Rama mbledh nesër Komitetin e Emergjencave Civile, ja çfarë vendimesh priten të merren

Kryeministri Edi Rama nesër në orën 08:30, do të mbledhë Komitetin e Emergjencave Civile, ku do të diskutohet për masat që do të merren për përballimin e situatës së shkaktuar nga moti i keq.
Bëhet me dije se në këtë mbledhje, priten që të jenë Ministria e Mbrojtjes, e Brendshme, e Financave, Energjia, Infrastruktura, Bujqësia si dhe përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
Ndërsa mësohet se qeveria po harton një paketë për dëmshpërblimin e banesave dhe tokat bujqësore që janë përmbytur si pasojë e reshjeve intensive në dy ditët e fundit.
Po ashtu kryeministri Edi Rama iu bëri thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të komunikojnë për çdo nevojë me institucionet, të cilat sipas tij janë në terren 24 orë në 24.
Kujtojmë që nga përmbytjet është dhënë urdhër evakuimi për disa fshatra në vendin tonë, ku numri i banorëve të evakuuar pritet që të jetë me mijëra.
Si pasojë e motit të keq, deri më tani ka humbur jetën një person, ndërsa me mijëra hektarë janë nën “pushtetin” e ujit.