Tregut ju vu zjarri qëllimisht?! Deputeti nxjerr SMS: Më shkruajnë se është gati projekti për pallate, pronarët “nuk po hapnin rrugë”

Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri thotë se tregtarët e tregut të rrobave të përdorura në zonën e “5 Majit” në Tiranë, i kanë shkruar mesazhe për ta vënë në dijeni se zjarri i mbrëmjes së sotme, atje, është i qëllimshëm.
Sipas Kaprit, tregtarët që kishin me qira bizneset në magazinat e tregut, nuk kanë pranuar të lëshojnë hapësirën ku ushtrojnë aktivitetin, për ndërtim pallatesh.
“Disa tregtarë po më shkruajnë se tregut te ‘5 Maji’ i është vënë flaka qëllimisht, sepse është gati një projekt me pallate. Bizneset që kishin ambientet me qira nuk “po hapnin rrugë”.
Ky do të ishte barbarizëm! E kanë kthyer në stil djegien kur dikush nuk pranon të lërë tokën e vet, shtëpinë e vet, për t’ia dhënë për ndërtim betonizuesve të Tiranës”, shkruan deputeti Erald Kapri.
Për shkak të materialeve (rrobave të përdorura dhe sendeve të tjera plastike), zjarri po përhapet me shpejtësi në mjediset e magazinave të tjera të tregut, ndërkohë që zjarrfikësit e kanë gati të pamundur të avancojnë për izolimin e tyre.
Në këto kushte, është lëshuar thirrje për ndihmë për Repartin Zjarrfikës të Durrësit, Vorës dhe Elbasanit. Gjithashtu, strukturat e Tiranës kanë kërkuar edhe ndihmën e Forcave të Armatosura.