“40 qengja m’i mori lumi”, përmbytjet shkaktojnë dëme të mëdha në Mbrostar, banorët kërkojnë ndihmë nga shteti

Dalja nga shtrati i lumit të Semanit ditën e sotme, ka shkaktuar dëme të mëdha për fermerët dhe banorët e zonës së Mbrostarit.

Një nga banorët e prekur ka treguar për mediat se rrjedha e lumit ka marrë me vete rreth 40 qingja, ndërsa pjesa tjetër e bagëtive ka ngordhur si pasojë e përmbytjeve. Ai thekson se situata është tepër e vështirë dhe i bën apel shtetit për ndihmë urgjente.

“Jemi përmbytur dhe kërkojmë ndihmë nga shteti. Nuk kemi as misër, asgjë fare, na u mbytën të gjitha. Qengjat më ngordhën, 40 qengja m’i mori lumi, të tjerët ngordhën nga uji. Nuk kemi marrë asnjë ndihmë. Tani nuk dimë çfarë do të bëjmë, bagëtitë duan të hanë, por nuk kemi tagji. Të paktën të na sigurohet bazë ushqimore, sepse s’kemi ku të shkojmë”, shprehet banori.

Ndërkohë, një tjetër banor pohon se dëmi i shkaktuar arrin vlerën e rreth 12 milionë lekëve. Ai tregon se përmbytjet i kanë bllokuar edhe bagëtitë në stallë, duke e bërë të pamundur nxjerrjen e tyre.

“Nga dëmi që patëm në nëntor, më është bërë dëm shumë. Kam investuar këtu rreth 12 milionë lekë që kam bërë rrugën këtu dhe pula, bar, koncentrat, asnjëri s’na ka dhënë ndihmë asgjë. Janë 20 lopë brenda, s’kam nga t’i nxjerr”, thotë ai.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT