Dy muaj nga atentati i përgjakshëm në Rinas, hetuesit “shkojnë” te Emiljano Shullazi, çfarë di për vrasjen e krahut të tij të djathtë

Dy muaj nga atentati që përgjaku rrethrrotullimin e Rinasit Prokuroria e Tiranës do të marrë dëshminë e Emiljano Shullazit, mikut të një prej viktimave që ranë pre e breshërisë së plumbave, Gilmando Danit.
Burime për mediat konfirmojnë se Shullazi do të pyetet nëse ka dyshime për persona të caktuar që kanë organizuar atentatin ndaj mikut të tij.
Ai do të merret në pyete në ambientet e paraburgimit 313, ndërkohë që nuk dihet ende data dhe ora kur Shullazi do të jetë përballë grupit hetimor.
Dani, i cili thuhet se kishte marrë kontrollin e rrjetit të mbetur të grupit, konsiderohej si “syri dhe veshi” i Shullazit jashtë qelisë. Ai shihej si figura kyçe që mbante lidhjet midis anëtarëve të lirë të grupit dhe Shullazit, i cili prej vitesh ndodhet në qeli.
Vrasja e Gilmando Danit dhe Muçi Shaljanit, vetën 25 minuta pasi avioni i tyre kishte prekur pistën e Rinasit, tronditi opinionin publik në vendin tonë mesditën e 11 nëntorit të vitit të kaluar.
Gilmando Dani një personazh i njohur për autoritetet e vendit tonë, i dënuar me burg dhe i njohur si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, ishte duke udhëtuar së bashku me mikun e tij Muçi Shaljani, punonjës i AMP-së, në momentin kur u goditën me breshëri plumbash në rrethrrotullimin e Rinasit, pak metra larg aeroportit.
Dani mbeti i vrarë në vend, ndërsa Shaljani mbeti i plagosur rëndë dhe ndërroi jetë pas disa ditëve në spital.
Pas vrasjes, autorët u larguan me shpejtësi drejt Fushë-Krujës, ku siç dhe është raportuar deri më tani ndaluan në fshatin Halil e duke ndjekur më pas të njëjtën skemë si dhe vrasësit me pagëse.
Ata i vunë zjarrin automjetit të cilin e përdorën gjatë atentatin dhe u larguan më pas me një tjetër mjet. Ngjarja sërish vuri në pikëpyetje sigurinë e vendit, pasi atentati ndodhi në një prej objekteve me rëndësi të veçantë siç është aeroporti i Rinasit