8 vjeçarin e shkelmoi mushka në kokë, helikopteri ulet në fshatin e thellë të Vlorës, Albioni niset për kontroll të specializuar (PAMJET)

Albioni, një 8 vjeçar nga fshati Bashaj i Vlorës, është nisur drejt spitalit rajonal me helikopterin e Forcave të Armatosura për mjekim të spcializuar. Dje, ai është qëlluar nga mushka me shkelmë në pjesën e përparme të kokës dhe sot do ju nënshtrohet kontrolleve.
Për shkak se rruga e fshatit të thellë në malet e Vlorës është dëmtuar për shkak të motit të keq të ditëve të fundit, vogëlushit i është dhënë ndihma e parë në shtëpi dhe sot, është nisur drejt spitalit rajonal.
Mbrëmjen e djeshme, në shtëpinë e Albionit në Bashaj të Vlorës ka qenë dhe deputeti i Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj. Ai ka ndarë fotografi me 8 vjeçarin dhe ka treguar se ai është në gjendje të mirë shëndetësore.
Deputeti i qarkut thotë se ai ka biseduar personalisht me ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili i kishte premtuar se të hënën (sot) në fshat do të dërgohej helikopteri i emergjencave.
Dhe ashtu ka ndodhur. Mëngjesin e sotëm, një ekip i urgjencës mjekësore dhe helikopteri ka mbërritur në fshatin e thellë të Vlorës, në kushtet kur rruga ka rrëshqitur në një pjesë të gjatësisë së saj dhe makina nuk shkon, Albioni është nisur drejt spitali rajonal për kontrolle të specializuara.