Koncesioni drejt fundit, qeveria krijon kompani shtetërore për sterilizimin me kapital 200 milionë lekë

Shërbimi i sterilizimit të të mjeteve mjekësore në sistemin publik tashmë do t’i kalojë në administrim të plotë shtetit. Ky shërbim që prej vitit 2016 ka qenë në duart e privatit në formën e koncesionit ndërsa tashmë me vendim të datës 30 dhjetor dhe të botuar sot në Fletoren Zyrtare, një shoqëri aksionare do të krijohet dhe do të jetë në pronësi të plotë të shtetit.
Shoqëria e re, me emrin “Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit” (OSHIS sh.a.), do të ketë një kapital fillestar prej 200 milionë lekësh, të financuar nga buxheti i vitit 2026 i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Në vendim thuhet se OSHIS sh.a. do të ofrojë kundrejt pagesës, shërbime që përfshijnë të gjithë ciklin e sterilizimit në sallat kirurgjikale, nga furnizimi me instrumente sterile dhe materiale njëpërdorimëshe, te veshjet sterile, menaxhimi i mbetjeve me rrezik biologjik dhe dezinfektimi i ambienteve.
Shoqëria do të administrojë gjithashtu Stacionin Qendror të Sterilizimit në QSUT dhe do të menaxhojë proceset e ripërpunimit dhe sterilizimit të instrumenteve të ripërdorshme, përfshirë përdorimin e teknologjive me avull dhe temperatura të ulëta, si edhe digjitalizimin e të gjithë procesit.
Modeli i ri parashikon që shërbimet të ofrohen për të gjitha spitalet publike universitare, rajonale dhe bashkiake në vend. Statuti i shoqërisë i lejon gjithashtu OSHIS sh.a. të ofrojë shërbime edhe për subjekte të tjera publike apo private, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Të ardhurat nga tarifat e shërbimeve do të arkëtohen nga vetë shoqëria dhe do të përdoren për ushtrimin dhe zhvillimin e veprimtarisë së saj.
Theksojmë se koncesioni i Sterilizimit është nën hetim nga SPAK gjithashtu dhe ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe ish-zyrtarë të tjerë e biznesmenë, të përfshirë në procedurën e tenderimit, zbatimin dhe kostot e shkaktuara buxhetit të shtetit. Pagesa e fundit e parashikuar për koncesionin këtë vit është 500 milionë lekë, ndërsa kostoja totale deri tani ka arritur 15.6 miliardë lekë.