Me syze dielli mbi “hundë” dhe pistoletë në dorë, MOMENTI kur polici i Burgjeve ndjek me vrap të arratisurin (FOTO)

Newsbomb.al ka siguruar foton e efektivit të Policisë së Burgjeve, i fotografuar jashtë ambienteve të Spitalit Rajonal të Durrësit, në momentin kur po ndiqte nga pas të burgosurin Altin Ndoci i cili arriti të arratisej mesditën e kësaj të marte.

Në foton e mëposhtme shihet polici i burgjeve i vetëm, teksa në duar mban pistoletën e shërbimi.  Sipas burimeve të deritanishme Ndoci e ka goditur me grusht efektivin shoqërues  brenda në spital, duke përfituar nga momenti për t’u larguar me vrap jashtë godinës.

Me syze dielli mbi

EFektivi i burgjeve duke ndjekur Ndocin

Ashtu sikurse bëmë me dije dhe më herët Altin Ndoci ndodhej prej dy ditësh i shtruar në repartin e Infektivit të Spitalit të Durrësit, ku po merrte ndihmë mjekësore për disa probleme shëndetësore të shfaqura ditët e fundit.

Por, mesa duket, kjo “vizitë” në spital është shfrytëzuar nga Ndoci si mundësi për t’i shpëtuar drejtësisë. Burime për mediat bënë me dije se ai u kishte kërkuar efektivëve të Policisë së Burgjeve që ta shoqëronin për në tualet. Ndoci ishte shoqëruar nga dy punonjës policie dhe sapo ka dalë nga ambientet e tualetit, i ka sulmuar fizikisht, duke arritur të arratiset nga kati i tretë i spitalit.

Përmes shkallëve të brendshme, ai ka zbritur me shpejtësi dhe është zhdukur brenda pak çastesh nga ambientet e spitalit. Edhe pse njëri prej efektivëve ka qëlluar me armë zjarri në ajër, në përpjekje për ta trembur dhe ndaluar, Ndoci nuk është ndalur për asnjë moment.

Sipas informacioneve paraprake, i arratisuri ka hipur më pas në një automjet tip “Audi”, ngjyrë e bardhë, i cili dyshohet se e priste jashtë ambienteve të spitalit. Dyshimet janë se ai është drejtuar drejt zonës së Spitallës, ndërsa Policia ka ngritur postoblloqe në të gjitha hyrje-daljet e qytetit të Durrësit dhe po vijon kontrollet intensive.

Në një deklaratë zyrtare të bërë më herët, Policia e Burgjeve konfirmoi ngjarjen, duke sqaruar se: “Paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore. Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit.

Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali. Strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT