I ati deklaroi një natë më parë se nuk e dinte ku ishte i biri, avokati kërkesë Gjykatës: Altin Ndoci mund të jetë në banesën e tij, respektoni procedurën

Mesditën e kësaj të enjte në ambientet e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është duke u zhvilluar seanca e radhës lidhur me dosjen “Plumbi i Artë”.
Pjesë e kësaj dosje është edhe Altin Ndoci, i burgosuri i cili dy ditë më parë u arratis nga spitali i Durrësit, aty ku dhe ishte shoqëruar nga efektivët e burgjeve për të marrë ndihmë mjekësore.
Në nisje të procesit gjyqësor, togat e zeza kanë lexuar shkresën e burgjeve të cilët e kishin vendosur në dijeni që ky i pandehur nuk mund të ishte pjesë e seancës së sotme pasi është arratisur.
“Altin Ndoci nuk mund të shoqërohet pasi është arratisur dhe është person i shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit”, shkruhej ndër të tjera në shkresën që Burgjet i kishin dërguar GJKKO-së.
Pak pas leximit të kësaj shkrese është bërë dhe një ndërhyrje nga një prej avokatëve të Ndocit, Aldo Shkëmbi, i cili i ka kërkuar trupës së gjyqtarëve që të respektojnë procedurat dhe ashtu sikurse ato e parashikojnë të dërgojnë njoftimin në banesën e të pandehurit.
“I kërkojmë gjykatës t’i dërgojë kërkesë policisë për të bërë njoftimin sipas procedurës, sepse Altin Ndoci mund të jete edhe në banesën e tij, në këtë nuk e dimë”, tha avokati Shkëmbi.
Kujtojmë se mbrëmjen e së mërkurës, babai i altin Ndocit, Nikoll Ndoci reagoi për herë të parë ku dhe theksoi se nuk është në dijeni të vendosjes të së birit. Nga banesa e tij, ai bëri me dije për emisionin “Top Story” se kontakti i tij i fundit me të birin ka qenë para tre ditësh dhe se nuk e kishte njoftuar për planin e arratisjes.
Përditësim: Seanca u shty për në datën 20 janar.