U akuza se braktisi tre fëmijët e saj, 33-vjeçarja: Në shtëpi kam gjetur gjëra që nuk më përkisnin! Rrobat ishin pa larë, pasi nuk kisha ujë për 10 ditë

Blerina Basha, 33-vjeçarja e cila u akuzua nga ish-vjehrra se ka braktisur tre fëmijët e saj të mitur në një banesë në qytetin e Durrësit, ka hedhur akuza ndaj kësaj të fundit se ka inskenuar këtë ngjarje.

E reja ka deklaruar se babai i fëmijëve të saj, ka ardhur në spital dhe ka takuar tre fëmijët e saj. Ajo ka deklaruar se do të ngrejë një padi ndaj ish-burrit dhe nënës së tij dhe do të kërkojë një urdhër mbrojtje.

“Erdhi dhe babai i fëmijëve, i takoi dhe iku. Unë fare.. s’dua ta takoj. Unë do e ngre një padi dhe do të bëj urdhër mbrojtje. Kam pasur dhe më parë urdhër mbrojtje. Kam pasur fjalë, nga ish-burri, ish-vjehrra. Por kjo që po kaloj këtë gjë, është shumë e rëndë, për mua dhe për familjen e tyre”, tha ajo.

Sa i përket gjendjes së shtëpisë, Blerina Basha ka rrëfyer se nuk e ka pasur ashtu shtëpinë dhe se gjithçka ishte inskenuar nga ish-vjehrra, pasi pretendon se ka gjetur gjëra që si përkasin shtëpisë që ajo jeton.

“Nuk e kam pasur kurrë në atë gjendje fëmijët. Normale ka qenë rrëmuje se kam punuar 16 orë punë dhe kishim 10 ditë pa ujë dhe rrobat ishin pa larë, por nuk ishin të përhapura kudo nëpër shtëpi. I ka hapur dikush. Kam gjetur gjëra që si përkisnin shtëpisë time. Unë disa prej atyre ushqimeve nuk i kam konsumuar”, u shpreh ajo.

Po ashtu 33-vjeçarja ka hedhur edhe një akuzë ndaj ish-bashkëshortit, teksa tha se në kohën kur fëmijët e saj ishin në Itali me të atij, ky i fundit i mësonte që ta shanin atë.

“Gjatë kohës që fëmijët e mi ishin atje, babai i tyre i mësonte, shani mamin”, tha ajo.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT