Predikonte mirësi në rrjete sociale por “zhvati” miliona franga duke mashtruar! Imami shqiptar përballet me drejtësinë zviceriane pasi udhëhoqi skemën kriminale bashkë me familjen

Një imam 57-vjeçar nga Kosova, pritet të dalë para gjykatës në Dietikon të Zvicrës. Sipas mediave zviceriane, ky imam i cili në rrjete sociale u predikonte mirësinë gati 4500 ndjekësve të tij, tani akuzohet nga drejtësia zvicerane si truri i një skeme komplekse të krimeve ekonomike që ka shkaktuar dëme në vlerë prej miliona frangash.
Në këtë skemë kriminale, ka qënë i përfshirë jo vetëm imami por edhe një rreth i gjerë familjar i tij, i cili përfshinte ish-bashkëshorten, vajzën, tre djemtë e tij dhe dy bashkëpunëtorë të tjerë. Në total 8 persona janë duke u përballur me drejtësinë në një seri veprash kriminale të lidhura njëra me tjetrën që shtrihen në një periudhë dhjetëvjeçare.
Edhe pse i pandehur kryesor ai nuk u paraqit në gjyq, pasi aktualisht ndodhet në një klinikë psikiatrike dhe ka deklaruar se është i papërshtatshëm për t’u marrë në pyetje. Gjykata vendosi që ai duhet ti nënështrohet një ekzaminimi nga një mjek nga Spitali Universitar Psikiatrik i Cyrihut (PUK).
Sipas aktakuzës, i dyshuari kryesor, imami, 57-vjeçar se i çoi kompanitë në falimentim gjatë një periudhe prej rreth dhjetë vitesh, përdori kredi hipotekare jo për rinovimin e pronës, por për shpenzime private, dhe mori kredi bankare në mënyrë mashtruese për shpenzime private duke përdorur kompani fiktive.
Ai akuzohet më tej për evazion fiskal dhe për marrje mashtruese të kredive për Covid-19 përmes deklaratave të rreme. Ai dyshohet gjithashtu se ka deklaruar paga mujore fiktive për djemtë dhe ish-gruan e tij me qëllim që të siguronte lejet e tyre të qëndrimit nga autoritetet.
Vajza e tij , e cila rrezikon dëbimin nga Zvicra ka deklaruar se kishte nënëshkruar çdo dokument që i kishte dhënë i ati pa e vënë kurrë në dyshim autoritetin e tij. Edhe ish- bashkëshortja dhe kontabilisti i tij janë përdorur të njëjtën “metodë” mbrojtjeje duke pretenduar se ishin “verbuar” dhe manipuluar nga imami.
Prokuroria ka kërkuar 7.5 vite burgim për imamin dhe dëbimin e tij nga Zvicra për një periudhë 15-vjeçare. Për anëtarët e tjerë të familjes janë kërkuar dënime me kusht dhe ndalime të ushtrimit të profesionit për disa vjet. Ndërkohë vendimi i gjykatës pritet të merret në fund të Janarit.