“U kryqëzua” nga media greke pas batutave me gazetarin, Rama “nuk ia përton” përgjigjen: Kush shkruan me “pathosin nacionalist” të mos i duket vetja pasardhës i Platonit dhe Aristotelit

Ditën e djeshme media greke Protothema, i ka i ka dedikuar një artikull të veçantë deri në detaje konferencës që kryeministrat Edi Rama i Shqipërisë dhe Milojko Spajiç i Malit të Zi patën dje në Abu Dhabi, në Emiratet e Bashkuara Arabe. E gjitha, vetëm se kryeministri ynë ka ngacmuar gazetarin grek për origjinën e tij, pasi ky i fundit i ngatërroi emrin.

Pas këtij artikulli është bërë një reagim nga Rama i cili e ka cilësuar median në fjalë si një media nacionaliste që i shërben “ndonjë politikani të lodhur grek” dhe është shprehur se ai artikull është deformim të kontekstit humoristik të batutave të shkëmbyera në atë panel.

“Është e pabesueshme që një fjali e thënë me humor, të shkëputet totalisht nga konteksti e të kthehet në polemikë publike me pathos nacionalist, gjë që fatkeqësisht në Athinën mediatike ndodh shpesh!” është shprehur kryeministri.

Teksa më tej ka shtuar: “Por i siguroj të gjithë të shqetësuarit e të lënduarit, se nuk kam as më të voglin dyshim që Platoni dhe Aristoteli janë filozofë grekë dhe që Greqia e Lashtë është shtrati i qytetërimit europian;  që kultura greke meriton vetëm admirim, jo vetëm për filozofët e lashtësisë po edhe për poetët, shkrimtarët, kineastët e muzikën që i ka dhënë njerëzimit; që Greqia është një vend për të cilin unë ushqej ndjenjat më pozitive, që populli grek është për mua  një fqinj i pazëvendësueshëm e vëlla i patjetërsueshëm i popullit shqiptar dhe që për kryeministrin e Greqisë ushqej një respekt të veçantë!”

Në përfundim ai është shprehur se nuk do që askush nga “të shqetësuarit e të lënduarit” me humorin e tij, te mos i kërkojë që: “kush shkruan e flet greqisht me pathosin nacionalist të të larpërmendurve, të më duket si pasardhës i Platonit dhe Aristotelit! Kaq”

Reagimi i plotë i Ramës:

“Jam i mahnitur nga reagimi i disa mediave në Athinë e i ndonjë politikani të lodhur grek lidhur me tonet e mia aspak tendencioze, po me humor miqësor gjatë bashkëbisedimit me gazetarin e nderuar John Defterios në panelin e organizuar gjatë Samitit të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi!

Është e pabesueshme që një fjali e thënë me humor, të shkëputet totalisht nga konteksti e të kthehet në polemikë publike me pathos nacionalist, gjë që fatkeqësisht në Athinën mediatike ndodh shpesh!

Por i siguroj të gjithë të shqetësuarit e të lënduarit, se nuk kam as më të voglin dyshim që Platoni dhe Aristoteli janë filozofë grekë dhe që Greqia e Lashtë është shtrati i qytetërimit europian;  që kultura greke meriton vetëm admirim, jo vetëm për filozofët e lashtësisë po edhe për poetët, shkrimtarët, kineastët e muzikën që i ka dhënë njerëzimit; që Greqia është një vend për të cilin unë ushqej ndjenjat më pozitive, që populli grek është për mua  një fqinj i pazëvendësueshëm e vëlla i patjetërsueshëm i popullit shqiptar dhe që për kryeministrin e Greqisë ushqej një respekt të veçantë!

U kuptuam? Shpresoj po.

Por ama mos më kërkojë askush ndër të shqetësuarit dhe të lënduarit me humorin tim, që kush shkruan e flet greqisht me pathosin nacionalist të të larpërmendurve, të më duket si pasardhës i Platonit dhe Aristotelit!

Kaq”

Back to top button
LAJMET E FUNDIT