Venezuela liron shqiptarët që burgosi Maduro, presidenti i akuzonte se po planifikonin ta vrisnin

Një grup shtetasish shqiptarë dhe europianë janë liruar mëngjesin e sotëm nga burgjet venezueliane dhe janë dërguar me avion drejt shtëpive të tyre. Lajmin e ka dhënë kryeministri i Çekisë, Andrej Babiš dhe ministri i tij i Jashtëm, Petr Macinka, përcjell newsbomb.al.
Media vendase “Radoi Prague International” i bën jehonë lirimit të shtetasit çek Jan Darmovzal, i cili ishte i burgosur në Venezuelë prej më shumë se një viti, dhe thotë se të liruar janë dhe disa qytetarë të tjerë.
“Pas disa javësh negociatash intensive, kemi siguruar lirimin e Jan Darmovzal nga burgu në Venezuelë”, njoftoi ministri Petr Macinka mëngjesin e kësaj të premte. Ministri çek konfirmon se mes të liruarve ka edhe nga kombësi të tjera.
“Këtë mëngjes, rreth orës 4:00 të mëngjesit (ora e Pragës), ai u lirua së bashku me një grup të burgosurish nga Irlanda, Rumania, Gjermania, Shqipëria, Ukraina dhe Holanda. Ne dërguam një aeroplan që është tashmë në ajër, kështu që dua të falënderoj edhe Ministrin e Mbrojtjes, Jaromír Zůna, i cili gjithashtu qëndroi zgjuar gjithë natën me ne për të organizuar këtë, dhe tani do t’i sjellim të gjithë të burgosurit e liruar në shtëpi.”
Megjithatë, nuk dihet sesa shqiptarë janë mes të liruarve dhe sa të tjerë po mbahen ende në burgjet venezueliane. Pritet që në vazhdim, të kemi një njoftim zyrtar nga ambasadat tona ose Ministria e Punëve të Jashtme. Deri tani raportohet vetëm për një shqiptar me iniciale J.N.
Këto lirime nga burgu, për personat e akuzuar nga ish-presidenti Nicolas Maduro si komplotistë që po përgatisnin vrasjen e tij, vijnë menjëherë pas ndërhyrjes amerikane në Venezuelë, përcjell newsbomb.al.
Autoritetet venezueliane arrestuan Jan Darmovzal në shtator 2024, duke pretenduar se ai po komplotonte për të vrarë Maduron dhe për të përmbysur qeverinë. Bashkë me të, u arrestuan edhe dhjetëra qytetarë të tjerë europianë. Këto pretendime kanë rezultuar të pabaza.