Kuvendi me televizion të vetin, projekti prej 500 mijë eurosh për ngritjen e “Media Room”! Në plane dhe bashkëpunimi me RTSH (DOKUMENTI)

Prej disa ditësh, deklaratat e kryeministrit Edi Rama kanë ndezur një debat të madh publik mbi vijimsinë e Radio Televizionin Shqiptar (RTSH). Në një vorbull të tillë debatesh, Kuvendi i Shqipërisë prezanton projektin për krijimin e një televizioni të vetin, i cili do të bashkëpunojë dhe me RTSH.
Për krijimin e “Media Room” është parashikuar një investim prej 500 mijë eurosh me funksion të përhershëm dhe në bashkëpunim me RTSH për transmetimin në kanalin RTSH Kuvend. Kjo qendër e re mediatike do të ngrihet pranë Shërbimit të Informacionit dhe Dokumentacionit në Kuvend, dhe sipas dokumentit, parashikohet të luajë një rol të trefishtë;
Informues: të përcjellë në mënyrë transparente punën parlamentare për qytetarët.
Analitik: të shpjegojë proceset legjvënëse, reformat dhe ndikimet e tyre.
Edukues: të ndihmojë qytetarët të kuptojnë funksionet dhe rolin e Kuvendit.
Paraprakisht, puna është parashikuar të nisë me një staf minimal redaksie për prodhim të përmbajtjeve bazike: Transmetime live, kronika, intervista, bashkëpunim i plotë me RTSH-në, për transmetimin dhe arkivim të materialeve.
“Qëllimi i programacionit televiziv të kanalit parlamentar është të ofrojë një pasqyrë të plotë, të strukturuar dhe të kuptueshme të veprimtarisë së Kuvendit për publikun e gjerë. Programet duhet të jenë të balancuara ndërmjet informimit të menjëhershëm, analizës së thelluar, edukimit qytetar dhe transparencës institucionale”, thuhet në dokument.
Fondi i parashikuar do të investohet për studio televizive moderne, prodhim të plotë video/audio për TV Parlamentar, dhe platformë publike televizive të Kuvendit, e integruar me shërbimet AI. Do të ofrohen komentim opsional, titrim dhe gjuhë të shenjave për seancat dhe komisionet.
Iniciativa premton të ofrojë përmbledhje dhe analiza: kronika ditore dhe javore, përmbledhje tematike mbi çështje ligjvënëse dhe debate, të transmetuara në RTSH Kuvend, online dhe në rrjete sociale.