183 vite burg për vrasjen që tronditi “Kinostudion”, klani “Duka” e donte me çdo kusht të vdekur Santiago Malkon, miku i Vis Martinaj u mori peng babain dhe e poshtëroi (NGJARJA E ’19)

Ekzekutimi i ish-policit Santiago Malko është mbyllur me 183 vite burg në total. Shtatë vite nga vrasja që tronditi zonën e “Kinostudios”, Gjykata e Posaçme ka mundur të japë drejtësi dhe ka shpallur fajtorë shtatë anëtarët e klanit “Duka”.

Krahu i djathtë dhe një nga miqtë e biznesmenit të basteve Ervis Martinaj, ish-punonjës i Policisë së Shtetit, kërkohej të eleminohej me çdo kusht nga grupi i drejtuar nga Leonard Duka, pasi i kishte marrë peng babain dhe e kishte poshtëruar.

Dhe ashtu ndodhi.

Mbrëmjen e 27 gushtit 2019, nga një mjet i cili lëvizte paralel me makinën BMË X5 që drejtohej nga Santiago Malko, u hap zjarr me breshëri dhe për disa metra, rruga u mbush me plumba, kurse lagja u trondit nga ashpërsia e madhe e goditjes kriminale.

Grupi i Ervis Martinaj e dinte këtë. Edhe vetë Santiago Malkos i kishte shkuar në vesh fjala se klani “Duka” po e kërkonte dhe kishte urdhëruar që ekzekutimi i tij të bëhej me çdo kusht, duke marrë parasysh të gjitha pasojat.

Sapo ish-polici doli nga një lavazh në zonën e Kinostudios, Blendi Teta dha sinjal se objektivi ishte në rrugë dhe menjëherë klani “Duka” aktivizoi ekzekutorin Fatmir Hyseni, i njohur dhe si “Doqja”. Vrasja u krye dhe sipas porosive, të gjithë anëtarët e grupit u larguan në drejtime të ndryshme.

Ndërsa të tjerët iknin, në vendngjarje u kthye vetëm Ilir Selmani. Detyra e tij ishte të pastronte skenën nga çdo provë që mund të implikonte klanin “Duka” në këtë vrasje, por ai nuk arriti të mblidhte dot të gjithë bishtat e cigareve që kishte hedhur në tokë Blendi Teta, teksa priste me orë të tëra të shihte Santiago Malkon.

Kamerat e sigurisë së zonës e kishin fiksuar atë, gjithashtu. Por pas këqyrjes se dhjetëra pamjeve, hetuesit kuptuan se viktima ishte ndjekur hap pas hapi nga dy makina, në njërën prej të cilave më pas u mësua se ishte edhe Blendi Teta.

Blendi Teta dhe Ilir Selmani ishin të parët që u ndaluan, kurse Leonard Duka u identifikua si porositës, por u ndalua vetëm në verën e vitit 2024, kur u ekstradua nga Belgjika. Përgjimet në “SKY ECC” konfirmuan se ai kishte biseduar me Ervis Martinaj dhe pranonte urdhrin për vrasjen e Snatiago Malkos.

Dy ortakët në biznesin e lojërave të fatit, ishin kthyer në armiq të përbetuar. Ervis Martinaj i komunikonte se ai nuk kishte dijeni për pengmarrjen e Muhamet Dukës (babai i dy vëllezërve Duka), kurse Leonardi i shprehej se Santiago Malko nuk bënte asgjë pa urdhrin e tij.

Sot, shtatë anëtarët e klanit “Duka” janë dënuar me 183 vite burg në total, me Erlis Dukën që është i vetmi që është shpallur i pafajshëm. Në qeli ndodhen vetëm Blendi Teta, Ilir Selmani dhe Leonard Duka, kurse katër anëtarët e tjerë janë në arrati. Ndërkohë, Ervis Martinaj vetë rezulton i zhdukur.

Konkretisht, Prokuroria e Posaçme në pretencë ka kërkuar:

1. Leonard Duka – 32 vjet burgim – Dënohet me 30 vite burg

2. Erlis Duka – 25 vjet burgim – Shpallet i pafajshëm

3. Fatmir Hyseni – 32 vite burgim – Dënohet me 25 vite burg

4. Aleksandër Manxhaku – 22 vjet burgim – Dënohet me 25 vite burg

5. Oltjon Loga – 23 vjet burgim – Dënohet me 25 vite burg

6. Dritan Agai – 23 vjet burgim – Dënohet me 25 vite burg.

Më herët, për këtë ngjarje janë dënuar dhe dy anëtarë të tjerë të klanit “Duka”, konkretisht Blendi Teta, i cili është shpallur fajtor si bashkëpunëtor në krimin që tronditi Tiranën mbrëmjen e 27 gushtit 2019 në zonën e Kinostudios. Ai është dënuar me 25 vite burg.

Po ashtu, edhe anëtari tjetër i këtij grupi, Ilir Selmani është dënuar me 28 vite burg, për vrasjen e ish-efektivit të policisë, Santiago Malko. Ai është shpallur fajtor për akuzat “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT