“A do të ishin aty për ne?”, Trump vë në dyshim besnikërinë e NATO-s dhe sakrificat e aleatëve në Afganistan! Reagime të ashpra nga ndërkombëtarët

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka vënë edhe një herë në pikëpyetje nëse aleatët e NATO-s do të “ishin aty” nëse Shtetet e Bashkuara “do të kishin ndonjëherë nevojë për ta”, duke pretenduar pa bazë se trupat e aleancës “qëndruan pak më larg” nga vijat e frontit në Afganistan.
“Gjithmonë kam thënë, ‘A do të jenë atje, nëse do të na nevojiteshin ndonjëherë?’ Dhe kjo është me të vërtetë prova përfundimtare. Dhe nuk jam i sigurt për këtë. E di që do të kishim qenë atje, ose do të ishim atje, por a do të jenë ata atje?” tha Trump në një intervistë me Fox Neës në Davos të Zvicrës.
Kjo deklaratë ka nxitur reagime të ashpra kryesisht nga veteranë të luftës si dhe krerë të shteteve e diplomatë. Vetë Prnc Harry i Britanisë është shprehur se “sakrificat” e ushtarëve britanikë që shërbyen dhe vdiqën në Afganistan meritojnë të fliten me vërtetësi dhe respekt.
Princi Harry ka shërbyer më parë si bashkëpilot i mitralierit të Korpusit Ajror të Ushtrisë, i cili ndërmori dy udhëtime në vijën e frontit në Afganistan.
Gjithashtu dhe kryeministri i Mbretësisë së Bashkuar Keir Starmer i cilësoi komentet e presidentit Donald Trump fyese dhe të tmerrshme. “Dhe nuk jam i befasuar që u kanë shkaktuar kaq shumë lëndim të dashurve të atyre që u vranë ose u plagosën”, shtoi Starmer.
Gjithashtu Shtëpia e Bardhë ka dalë me një deklaratë zyrtare pas deklaratave të Trump duke thënë se kontributet e Amerikës në NATO janë më të mëdha se ato të vendeve të tjera.
“Presidenti Trump ka të drejtë – kontributet e Amerikës në NATO janë më të mëdha se ato të vendeve të tjera, dhe suksesi i tij në përmbushjen e një premtimi prej pesë përqind të shpenzimeve nga aleatët e NATO-s po e ndihmon Evropën të marrë përgjegjësi më të mëdha për mbrojtjen e saj. Shtetet e Bashkuara janë i vetmi partner i NATO-s që mund të mbrojë Groenlandën dhe Presidenti po përparon interesat e NATO-s duke vepruar kështu”.