“Nuk flet dhe nuk ecën dot…” Kledi Kadiu rrëfen mes lotësh sëmundjen e djalit: Festa na u shndërrua në dhimbje

Në një intervistë të dhënë së fundmi për emisionin e Arbana Osmanit “Mirëmbrëma Yje”, koreografi i njohur shqiptar, Kledi Kadiu ndau një nga momentet më të vështira të jetës së tij të përjetuar që gjatë periudhës së covid-19.
Mes lotësh dhe emocioneve të forta Kadiu zbulon se djali i tij, Gabriel pak ditë pas lindjes së tij është prekur nga virusi i cili i ka shkaktuar atij vështirësi në të folur dhe në lëvizje.
Ardhja e një fëmijë në jetë për çdo familje është një gazim i papërshkrueshëm, por për Kledin dhe të afërmit e tij lindja e Gabrielit shkaktoi një plagë në zemër.
“U ndryshua gjithçka. Festa që çdo familje bën kur lind një fëmijë, për ne u shndërrua në një dhimbje të madhe. Fakti që ai ishte kaq i vogël… mospranimi i një prindi, pyetja e vazhdueshme ‘pse atij dhe jo mua’ ishte diçka që të shkatërron”, u shpreh Kadiu në emisionin “Mirëmbrëma Yje”.
Koreografi theksoi se ajo ishte periudha më e bukur e jetës së tij njëkohësisht më e vështira për shkak të sfidave me të cilat po përballeshin, siç ishte sëmundja e djalit të vogël.
Por pavarësisht çdo gjëje, me optimizëm dhe kurajo, koreografi u shpreh se familja e tij po jeton me shpresën se djali do të shërohet.
“Ai sot shkon në kopsht, normalisht ka mungesat që ka çdo fëmijë me vështirësi, por shpresa është e lartë. Ishte një virus që mori një drejtim të rëndë… merret në momentin që dëmton pjesë të caktuara të trurit. I ka dëmtuar të folurit dhe lëvizjen, nuk ecën dot”, shtoi më tej Kadiu.