Vogëlushja u rrëzua nga krevati dykatësh, detaje nga vdekja e vajzës së mesfushorit të Tiranës! Shtyhet ndeshja me Flamurtarin, ekipi është pranë familjes Alvarez

Ekipi i futbollit “KF Tirana” është tronditur në orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune, kur është mësuar se vajza e lojtarit Freddy Alvarez ka ndërruar jetë tragjikisht. Mësohet se vogëlushja është rrëzuar nga krevati dykatësh dhe për pasojë ka humbur jetën.
Mesfushori ofensiv nga Costa Rica sapo ishte vendosur në kryeqytet dhe deri tani, ka luajtur tre ndeshje me ekipin. I gjithë klubi bardheblu është i tronditur dhe në zi, duke qëndruar pranë Freddyt dhe familjes së tij në këtë moment të rëndë.
Nga burime policore, është mësuar se vajza e vogël e familjes Alvarez ka qenë duke fjetur në katin e dytë të krevatit të gjumit, i cili është rreth 1.5 metra i lartë, dhe gjatë natës është rrëzuar.
Vogëlushja ka qenë në gjendje kritike kur është gjetur nga prindërit në dyshemenë e apartamentit dhe menjëherë janë njoftuar shërbimet e urgjencës mejkësore. Fatkeqësisht, pavarësisht ndihmës së shpejt, e mitura ka ndërruar jetë.
Grupi hetimor dhe shërbimi që ka mbërritur në apartamentin e familjes në Tiranë, dyshon se vajza mund të ketë pasur edhe komplikacione të tjera shëndetësore, të cilat kanë ndikuar në humbjen e jetës.
Mesfushori ofensiv nga Costa Rica, Freddy Alvarez është bërë zyrtarisht pjesë e KF Tiranës në merkaton e Janarit 2026! Pas firmosjes së kontratës dhe analizave mjekësore, ai ju bashkua ekipit nën udhëheqjen e trajnerit Nuhiu.
Pak më parë, edhe Federata Shqiptare e Futbollit ka dërguar një mesazh ngushëllimi për lojtarin e KF Tiranës dhe familjen e tij, pas ndarjes tragjike nga jeta të vajzës.
Në shenjë respekti dhe solidariteti në këtë moment të rëndë, si dhe në dakordësi me KF Tiranën dhe KF Flamurtarin, FSHF bën me dije se ndeshja Tirana–Flamurtari, e programuar të zhvillohej sot, është shtyrë dhe do të luhet nesër në orën 13:30 në stadiumin “Selman Stërmasi”.
“Lajmi tragjik i ndarjes nga jeta të vajzës së vogël të futbollistit të KF Tirana, Freddy Alvarez më ka tronditur pa masë. Në këto momente të vështira, fjalët janë të pakta për të lehtësuar dhimbjen e një prindi dhe të një familjeje.
Në emrin tim dhe të Federatës Shqiptare të Futbollit, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Freddy Alvarez-it, familjes së tij dhe klubit të Tiranës. Jemi pranë jush në këtë humbje të pazëvendësueshme. U prehtë në paqe engjëlli i vogël”, shkruan Presidenti Armand Duka.