Pretendimet e politikanes se Rama ka studiuar në Harvard falë bursës së grekëve, si qëndron e vërteta: Reagimi i Fondacionit Kokkalis

Një deklaratë e ish-deputetes greke Niki Tzavela në rrjetin social “X” në lidhje me studimet e kryeministrit Edi Rama në Universitetin e Harvardit, ka sjellë reagime të shumta, fillimisht në mediat greke dhe më pas te zyrtarët.

Tzavela pretendoi se Rama kishte ndjekur studime në Harvard falë një burse të financuar nga Fondacioni Kokkalis, në një periudhë kur ai mbante funksionin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Ajo theksoi se në atë kohë ishte nënkryetare e fondacionit dhe përgjegjëse për përzgjedhjen e studiuesve nga Evropa Juglindore.

Këto pretendime u hodhën poshtë publikisht nga Petros Kokkalis, ish-eurodeputet i SYRIZA-s dhe përfaqësues i familjes themeluese të Fondacionit Kokkalis. Në një reagim në platformën X, Kokkalis sqaroi se kryeministri shqiptar nuk ka aplikuar dhe nuk ka qenë kurrë përfitues i Programit Kokkalis.

“Z. Tzevela mund të mos e mbani mend saktë, @ediramaal nuk kishte aplikuar kurrë në Programin Kokkalis. Megjithatë, ai na nderoi, si shumë udhëheqës të Evropës Juglindore, duke marrë pjesë si Kryetar Bashkie në fjalimet që organizuam në Harvard”, shkruan ai.

Sipas tij, pjesëmarrja e Ramës në aktivitete akademike në Harvard ka qenë në kuadër të rolit të tij institucional si kryetar i Bashkisë së Tiranës, një praktikë e zakonshme për drejtues vendorë dhe politikë nga rajoni, dhe jo si rezultat i një burse apo programi studimi.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT