“Për Shkëlzenin”, kërkesa e Mediut për FAX-in që i mbërriti djalit të Berishës hidhet poshtë, gjyqi për Gërdecin i pafundmë, shtyhet sërish seanca

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur që të rrëzojë kërkesën e bërë më herët nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, lidhur me ekspertimin e shënimit “për Shkëlzenin”, një faks ky i paraqitur si provë për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit.

Paraditen e kësaj të marte, togat e zeza kanë vendosur që të rrëzojnë këtë kërkesë të Mediut, i cili së bashku me ministrin e Drejtësisë së kohës, Aldo Bumçin, pretendojnë se është i rremë.

Po ashtu, avokatët e Mediut kanë pretenduar në sallë se një sërë aktesh që ata kanë kërkuar nuk u janë vendosur në dispozicion nga Gjykata, për këtë arsye seanca e radhës u shty të mbahet për në datën 10 shkurt.

Kujtojmë se në dhjetor të 2023, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha u thirr për herë të parë për të dëshmuar në GJKKO lidhur me tragjedinë e Gërdecit, më 15 mars 2009, e cila u mori jetën 26 personave të pafajshëm dhe la të plagosur me qindra të tjerë.

Emri i Shkëlzen Berishës doli në një faks që Aldo Bumçi thuhet se i kishte dërguar Fatmir Mediut dhe mbi të cilin ishte vendosur shënimi “për Shkëlzenin”. Gjithashtu djali i ish-kryeministrit Berisha u pyet dhe për telefonatën që kishte kryer me Fatmir Mediun direkt pas shpërthimit në punishten e demotimit të municioneve.

Vetë Berisha ka thënë për mediat se nuk ka dijeni se kush e ka dërguar faksin me mbishkrimin “për Shkëlzen Berishën”, duke shtuar se është detyrë e prokurorisë ta gjejë nëse është i vërtetë apo i fabrikuar.

“Kam thënë që ky faks as nuk është nisur nga adresa ime, as nuk ka mbërritur në adresën time, dhe as nuk njoh atë që ka nisur e pritur. I takon Prokurorisë të na thotë nëse faksi është origjinal apo i falsifikuar. Nëse është origjinal duhet ta thotë kush e ka shkruar dhe nëse është i falsifikuar, ta thotë kush e ka bërë. Qoftë Bumçin dhe Mediun, i kam miq përpara se të kishin funksione ministri, i kam pasur gjatë kohës që kanë qenë ministria dhe sot që nuk kanë më këtë funksion”, tha ai në dhjetor të 2023, ndërkohë që e njëjta linjë qëndrimi është mbajtur edhe nga vetë Aldo Bumçi dhe Fatmir Mediu.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT