Fermeri i Divjakës nuk e lë Ramën të ikë pa i thënë dy fjalë: Po na dëmtojnë prodhimet e huaja; Përgjigjet kryeministri: Kufijtë i kemi hapur në ‘90

Një fermer në Divjakë nuk ka pritur Edi Ramën të lërë takimin, por është ngritur pa mikrofon për të kërkuar fjalën, pavarësisht se kryeministri tha se i duhej të largohej. Por fermeri ka ngulmuar të dëgjohej nga kryeministri, aq sa ky i fundit i ka bërë të qartë se një ndër gjërat që ka është se askush nuk mund ti imponohet.
“Janë 500 vetë në këtë sallë. Nuk është e nevojshme ta marrësh fjalën me zor. Dhe një prej gjërave që kam unë është se askush nuk më imponohet me zor” tha kryeministri I cili në cdo moment i kërkonte fermerit të ulej, pavarësisht se ky nuk e dëgjonte.
E meqë ishte pa mikrofon, u kuptua se fermeri në Divjakë po i kërkonte kryemininistrit që të mos lejonte produktet e importit që po prishnin punën e fermerëve.
“Aaaa këtë jo, nuk mund të ma kërkosh mua. Këtë gjë e kemi shmangur që kur thirrëm liri-demokraci në ’90. Dhe nuk ndodh kjo. Ka qindra mënyra të tjera por kufijtë nuk mbyllen”, tha kryeministri pasi dëgjoi kërkesën e fermerit i cili në logjikën e vet donte të thoshte se produktet që vijnë nga jashtë janë konkurruese dhe nuk e lënë prodhuesin e fermerin shqiptar të ngrejë kokën.
Por fermeri vazhdonte të këmbëngulte pavarësisht kerkesës së Ramës.
“Disponoj deri në 20 Ha tokë. Jemi shtresa më e pambrojtur! Nuk po bëj politikë, por kam familje” i tha Fermeri.
Ndërkohë që Rama i tha se po bën politikë. “Ne të gjithë bëjmë politikë. Unë po bëj politikë e nuk e mohoj”.
Kryeminstri i kujtoi fermerëve se i duhej të largohej nga takimi për të pritur disa të huaj, por siç tha ai ministri do të qëndronte në takim dhe bashkë me të edhe drejtoresha e AZHBR me të cilët do të flisnin për të gjitha hallet dhe shqetësimet e tyre.