Komisioni “Xhafaj” kërkoi të futej në agjendën e tyre, SPAK del kundër: Cenohet pavarësia! Mund të ju japim informacion, por nuk ju lejojmë të na monitoroni

Në 19 dhjetor, teksa Klodian Braho mori zyrtarisht detyrën e kryeprokurorit të SPAK duke u betuar në Këshillin e Mandateve në Kuvend, komisioni i Përhershëm Parlamentar Xhafaj, kërkonte të futej në agjendën e Prokurorisë së Posaçme.
Kërkesa e Komisionit Xhafaj, lidhej me një vizitë monitoruese mbi rezultatet e SPAK për pastrimin e parave. Sipas këkesës së publikuar nga Top Channel, politika e mbështet kërkesën tek një shkresë e Agjencisë së Inteligjencës Financiare drejtuar kuvendit dhe disa institucioneve për disponimin e të dhënave rreth pastrimit të parave.
SPAK duket se nuk do që të shkojë në takimin e sugjeruar të mbahej në 6 shkurt 2026 me komisionin Xhafaj. SPAK në këtë dokument, e cilëson takimin monitorues në kapërcim të ligjit dhe pavarësisë së Prokurorisë së Posaçme.
“Çdo praktikë për të kryer vizita të tilla monitoruese do të binte ndesh me pavarësinë kushtetuese të Prokurorisë së Posaçme. Kjo pavarësi nuk është vetëm një kërkesë formale ligjore, por edhe një kusht themelor për të siguruar hetime të pavarura, të paanshme dhe efikase, në mbrojtje të interesit publik dhe të sundimit të ligjit.”
Por SPAK lë një dritë jeshile për bashkëpunim me komisionin, kur i kujton se mund ta informojë sipas ligjit, por jo ta monitorojë.
“Në vijim të dialogut dhe bashkëpunimit ndër institucional me komisionin, Prokuroria e Posaçme mbetet e angazhuar për të kontribuar në përcjelljen e çdo informacioni të nevojshëm në funksion të përmbushjes së detyrimeve të saj kushtetuese.”, thuhet në përgjifjen e SPAK për Komisionin Xhafaj.