“Shqipëria Bëhet” e Lapajt sot në protestë, Endri Shabani i vjen në “ndihmë”, nxjerr në terren një ekip vëzhgues të Avokatit të Popullit: Jemi në gatishmëri

Pasditen e sotme, “Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt do të zhvillojë protestën e radhës përballë Kryeministrisë, teksa duket se në ndihmë të tyre do të jetë me një ekip në terren edhe Avokati i Popullit.
Përmes një njoftimi për mediat, Avokati i Popullit, i drejtuar nga Endri Shabani, bën me dije se një ekip vëzhguesish do të jetë i angazhuar në terren.
“Një ekip vëzhguesish të Avokatit të Popullit është angazhuar në terren, ndërsa strukturat përkatëse janë vënë në gatishmëri për të qenë të pranishme, sipas nevojës, në ambientet e komisariateve të policisë dhe institucioneve shëndetësore”, theksohet në njoftim.
Sipas AP, ky angazhim synon ndjekjen nga afër të çdo veprimi pasues dhe garantimin e respektimit të standardeve ligjore dhe të të drejtave të qytetarëve.
Kujtojmë që Adriatik Lapaj, pas zgjedhjes së Endri Shabanit të Avokatit të Popullit, hodhi akuza se ish-aleati i tij në zgjedhjet e 11 majit, ishte futur në pazare me qeverinë.
Njoftimi i avokatit të popullit:
NJOFTIM PËR SHTYP
Avokati i Popullit informon publikun se, në kuadër të ushtrimit të mandatit te tij kushtetues për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, ka ndërmarrë masa për monitorimin e protestës së organizuar sot nga partia “Shqipëria Bëhet”.
Një ekip vëzhguesish të Avokatit të Popullit është angazhuar në terren, ndërsa strukturat përkatëse janë vënë në gatishmëri për të qenë të pranishme, sipas nevojës, në ambientet e komisariateve të policisë dhe institucioneve shëndetësore. Ky angazhim synon ndjekjen nga afër të çdo veprimi pasues dhe garantimin e respektimit të standardeve ligjore dhe të të drejtave të qytetarëve.
Avokati i Popullit do të vijojë monitorimin e situatës dhe do të ushtrojë kompetencat e tij ligjore në përputhje me zhvillimet në terren.