Hiqen pas 7 orësh shkëmbinjtë nga aksi Librazhd-Përrenjas, apeli i RËNDËSISHËM i Policisë (PAMJE)

Pas shtatë orësh bllokimi, segmenti rrugor Librazhd-Përrenjas është hapur për qarkullimin e mjeteve. Burime për mediat bëjnë me dije se pas orësh të tëra pritje, drejtuesit e mjeteve do të mund të kalojnë në këtë aks, megjithatë mësohet se deri më tani vetëm njëra prej korsive është liruar plotësisht, ndërsa tjera vijon të jetë pjesërisht e kalueshme.
Policia Rrugore dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar janë në vendngjarje, duke menaxhuar trafikun dhe duke apeluar për kujdes maksimal nga drejtuesit e mjeteve.
Bllokimi i aksit Librazhd-Përrenjas, konkretisht në vendin e quajtur Dragostunjë, ndodhi rreth orës 11:00 për shkak të rënies së një masivi gurësh dhe dheu. Puna e ekskavatorëve dhe fadromës për pastrimin e rrugës zgjati rreth shtatë orë.
Megjithatë, autoritetet rrugore kanë theksuar se segmenti do të vijojë të jetë në monitorim edhe përgjatë natës, por dhe ditës së nesërme, pasi një gru i madh mbetet pranë rrugës dhe mund të kthehet në rrezik për shoferët.
“Policia Rrugore së bashku me Autoritetin Rrugor Shqiptar po kryejnë menaxhimin e trafikut. Kërkojmë mirëkuptimin e përdoruesve të rrugës dhe respektimin e udhëzimeve të autoriteteve për mbarëvajtjen e qarkullimit”, kanë bërë me dije autoritetet.
Siç raportuam dhe më herët bllokim i këtij aksi përpos radhëve të gjata kilometrike të trafikut, solli dhe probleme për kalimin e një autoambulance e cila ishte duke transportuar një grua të sëmurë drejt Spitalit të Elbasanit. Për shkak së ky segment ishte i bllokuar, autoambulanca u detyrua që të kalonte përmes lumit.
Për shkak të situatës, qarkullimi drejt Korçës dhe në drejtim të kundërt po ashtu ishte i pamundur, dhe policia këshilloi drejtuesit e mjeteve që të shmangin segmentin deri në një njoftim të dytë.
Autoritetet rrugore dhe Policia Rrugore apelojnë përsëri për kujdes, respektimin e sinjalistikës dhe paralajmërimeve, dhe bashkëpunim nga drejtuesit e mjeteve për siguri maksimale në këtë pjesë të rrugës.