“Hetuese” dhe “fanse” e Edi Ramës, kush është avokatja e Erion Velisë, dikur ia caktuan edhe Sali Berishës! Valentina Teodoresku: Nuk i them dot përmendësh 60 mijë faqe

Valentina Teodoresku, avokatja mbrojtëse e kryebashkiakut Erion Veliaj, është shprehur e pakënaqur me seancën e sotme në Gjykatën e Posaçme ku ajo kërkoi shtyrjen e masës së sigurisë, sepse nuk ka pasur kohë të njihet me aktet e dosjes hetimore.
Kërkesa nuk u pranua dhe Teodoresku u shpreh për mediat se ajo nuk mund të lexojë 60 mijë faqe në një kohë të shkurtër dhe ato t’ia thotë kryebashkiakut Erion Veliaj përmendësh.
“Unë nuk mund të lexoj tani 60 mijë faqe dhe t’ia them Erion Velisë përmendësh. Mua më pyesni për Vlentinën, se ç’bën Erioni, pyesni atë”, u shpreh avokatja për mediat. Ajo është caktuar kryesisht si mbrojtëse ligjore, sepse Veliaj vendosi të largonte ditë më parë avokatin Artan Gjermeni.
Gjyqtarja Etleva Deda është tërhequr për vendimmarrje lidhur me kalimin ose jo të dosjes për gjykim, pasi zyrtarisht këtë të hënë është mbyllur shqyrtimi paraprak i çështjes penale që lidhet me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Seanca e radhës është caktuar më 9 shkurt për kërkesën tjetër të kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares Etleva Deda. Ai dhe avokatja kanë pesë ditë kohë që të depozitojnë formalisht kërkesën në GJKKO.
Duke qenë se shërben si avokate shteti kryesisht, dy vite më parë Valentina Teodoroseku ka marrë përsipër mbrojtjen e Sali Berishës në Gjykatën e Posaçme.
Në atë kohë, të gjithë avokatët që po merrnin përsipër dosjen e Sali Berishës, kur ky i fundit refuzonte ballafaqimin me drejtësinë për dosjen “Partizani”, avokatja e shtetit Valentina Teodoresku ka pranuar përfaqësimin e ish-kryeministrit.
Në atë kohë, newsbomb.al i dedikoi asaj një artikull të veçantë, sepse Valentina Teodoroseku shkruante në llogarinë e saj në Facebook se “Ka punuar në Hetuesi”, ndërsa mes postimeve që ajo shpërndante, binin në sy ato për kryeministrin Edi Rama.