Atentati ku mbeti i plagosur berber “COLI”, zbulohet emri i shënjestër, 7 persona vetëm për të “hequr qafe” nipin 21-vjeçar të Ardian Nikulajt

Merando Nikulaj, nipi i Ardian Nikulajt, dyshohet të ketë qenë shënjestra e atentatorëve një natë më parë në fshatin Rrile të Lezhës.

Burime për mediat bëjnë me dije se Nikulaj, së bashku me katër persona të tjerë, ndodhej mbrëmjen e së dielës në ambientet e berberhanës në pronësi të 30-vjeçarit Sokol Dacit.

Ndonëse deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit, dyshohet se i riu ishte objektivi për “t’u hequr qafe” nga atentatorët.

Si pasojë e të breshërisë së plumbave mbeti i plagosur Sokol Daci, pronari i berberhanës, i cili mori katër plumba, në këmbë, shpatull dhe në bark.

Ndërkohë sa i përket nipit të Ardian Nikulajt, ai dyshohet të ketë marrë vetëm një plumb. Nga pamjet e sigurisë 21-vjeçari shihet duke ecur me vështirësi. Po ashtu kamerat e sigurisë kanë kapur dhe momentin kur dy automjete njëri tip “Audi” dhe njëri tip “Passat”, qëndruan para biznesit dhe nga aty dolën 7 persona.

I pranishëm në momentin e ngjarjes ka qenë edhe një efektiv policie. Në dëshminë e tij për hetuesit ai tregoi se në momentin kur dhe ndodhi ngjarja ishte jashtë shërbimit dhe se ndodhej rastësisht te berberi “Coli”.

Ai tregoi se pasi atentatorët “zbrazën” armët e tyre ai iu kundërpërgjigj me qëllim neutralizimin e tyre, mirëpo arritën që të largoheshin me shpejtësi.

Lidhur me këtë ngjarje, policia është duke ushtruar kontrolle në disa biznese dhe ka shoqëruar disa persona për t’i marrë në pyetje.

Si ndodhi vrasja e Ardian Nikulajt:

Merando Nikulaj, është nipi i Ardian Nikulajt, biznesmenit lezhian i cili u vra në prill të vitit 2023. Ai ndodhej i ulur brenda lokalit të tij, në momentin kur shtetasi portugez, Ruben Saraiva, i maskuar me skafandër, hyri brenda dhe e qëlloi disa herë me armë zjarri, duek e lënë të vdekur në vend.

Sipas hetimeve, urdhërues i vrasjes dyshohet se ishte Edmond Haxhia, i cili në bashkëpunim me shtetas të huaj kishte vëzhguar për ditë me radhë lëvizjet e Nikulajt, duke monitoruar edhe hotelin ku ai qëndronte, me qëllim përcaktimin e momentit të ekzekutimit.

Pas kryerjes së krimit, disa prej autorëve u larguan nga Shqipëria përmes aeroportit të Rinasit, ndërsa të tjerë përdorën rrugë tokësore drejt Greqisë. Megjithatë, ata u arrestuan brenda një kohe të shkurtër, njëri pas tjetrit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT