Atentati në Lezhë / Policia zbardh ngjarjen, shpallen në kërkim 4 autorët: Të gjithë nga e njëjta familje

Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmë në 2 shkurt në fshatin Rrilë, Njësia Administrative Shënkoll, në Lezhë, ku një person mbeti i plagosur pas të shtënave me armë zjarri, gjatë një sulmi të organizuar në një berberhane. Policia e Lezhës nisi hetime intensive për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes e tashmë ka identifikuar e shpallur në kërkim autorët. Ata akuzohen për veprën penale “Vrasja me dashje, e mbetur në tentative”.

“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 01.02.2026, rreth orës 21:00, në fshatin Rrilë, Njësia Administrative Shënkoll, bashkia Lezhë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një shtetas, Grupi i Posaçëm Hetimor i DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë, ka vijuar intensivisht hetimet me qëllim zbardhjen e ngjarjes, dokumentimin ligjor, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se si të dyshuar në këtë ngjarje janë shpallur në kërkim shtetasit G. N., E. N., K. N. dhe M. N., të cilët akuzohen për veprat penale “Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit dhe municionit dhe lëndëve shpërthyese”.

Ndërkohë, sot më herët një efektiv policie, me inicialet B.K., u ndalua me urdhër të Prokurorisë për “moskallëzim krimi”, pasi gjatë ngjarjes ka qëlluar me armë për të neutralizuar autorët.

Sulmi dyshohet të jetë kryer nga tre persona, njëri në rolin e shoferit dhe dy të tjerët si qitës. Autorët ishin të maskuar dhe nuk duket të kenë përvojë profesionale në përdorimin e armëve, pasi nga breshëria e plumbave është rrezikuar edhe siguria e kalimtarëve.

I plagosuri, S.D., i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale pas plagës së marrë në bark, e cila i shkaktoi hemorragji të shumta. Ai ndodhet në gjendje të stabilizuar dhe jashtë rrezikut për jetën. Përveç plagës në bark, i riu ka marrë edhe dy plumba të tjerë, një në shpatull dhe një në këmbë. Ngjarja dyshohet të ketë motive hakmarrjeje.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT