Vizita në Vatikan/ Kryeministri Rama takohet me Papa Leonin e XIV

Këtë të enjte, Papa Leoni XIV priti kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama. Takimi ndërmjet Papa Leoni XIV dhe Ramës u zhvillua në Pallatin Apostolik në Vatikan.
Më pas, Rama zhvilloi takim me Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë kardinalin Pietro Parolin dhe imzot Paul Richard Gallagher, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.
“Në bisedimet e përzemërta – thuhet në një njoftim të Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë – u vu në dukje marrëdhënia e mirë ekzistuese ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shqipërisë dhe u trajtuan tema me interes të përbashkët që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet bashkësisë kishtare dhe asaj civile”.
Ndër temat në qendër të bisedimeve ishin edhe çështjet kryesore rajonale, “përfshirë situatën në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian”.