Ministri Ejup Maqedonci mbërrin në Mat, bashkë me Pirro Vengun ndjekin nga afër operacionin e kërkim-shpëtimit për Jurgenin, 27 ditë pa asnjë gjurmë

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci ka mbërritur sot në Mat, ku bashkë më homologun Pirro Vengu kanë ndjekur nga afër operacionet e kërkim-shpëtimit për Jurgen Karajn, i cili prej 27 ditësh vazhdon të jetë i zhdukur.
Ata janë takuar me ushtarakët e njësive të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të angazhuar në operacionin për gjetjen e trupit të 30-vjeçarit të zhdukur në zonën e Klosit.
Forca e Sigurisë së Kosovës, që prej datës 29 janar, është angazhuar në këtë operacion me njësinë e specializuar të kërkim-shpëtimit, me personel të trajnuar për kërkime në ujëra, si dhe me mjete teknologjike të avancuara, përfshirë skanerë dhe dronë nënujorë.
Kurse Forcat e Armatosura janë angazhuar që prej ditës së parë dhe po kryejnë detyrën e tyre me përgjegjësi të plotë.
Jurgen Karaj dyshohet se është marrë nga rrjedha e përroit të fshatit Dars, duke përfunduar në lumin Mat, dhe deri në këto momente nuk është bërë e mundur gjetja e trupit të 30-vjeçarit.
Rreth orës 01:30 të datës 10 Janar, është marrë informacion se në vendin e quajtur ura e fshatit Dars, njësia administrative Klos, një mjet tip “Audi” me targa angleze kishte dalë nga rruga dhe për pasojë kishte rënë në përroin e fshatit Dars.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe shërbimi zjarrfikës. Nga veprimet e shpejta u bë i mundur identifikimi i drejtuesit të mjetit, shtetasit Andi Losha, 24 vjeç, banues në fshatin Fullqet, Klos.
Po nga veprimet dyshohet se në automjet ka qenë edhe një pasagjer, shtetasi Jurgen Karaj, 30 vjeç, banues në fshatin Fullqet, të cilin dyshohet se e ka marrë rrjedha e përroit.