Himara i kthehet normalitetit, uji tërhiqet nga rrugët, qytetarët dalin nga shtëpitë

Kryebashkiaku Vangjel Tavo njofton se situata në territorin e Bashkisë Himarë është kthyer në normalitet, pas disa orësh kur uji vërshoi nga përrenjtë në rrugët e brendshme të qytetit dhe përmbyti shtëpi e biznese.

“Gjendja në qytetin e Himarës është normalizuar. Uji është larguar nga rrugët dhe mjediset e tjera publike, duke rikthyer qarkullimin normal të automjeteve dhe këmbësorëve”, shkruan Tavo.

Punëtorët e Bashkisë Himarë dhe mjetet e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, në bashkëpunim me forcat e Shërbimit Zjarrfikës, vijojnë punën për shpëlarjen dhe pastrimin e rrugëve, me qëllim garantimin e sigurisë dhe përmirësimin e kushteve të lëvizjes.

Megjithatë, kërkohet kujdes nga drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët, pasi në disa segmente rrugore ka ende prani balte, e cila mund të përbëjë rrezik për rrëshkitje.

“Bashkia Himarë mbetet në gatishmëri të plotë dhe në terren, në çdo njësi vendore dhe rrugë, për të eliminuar përfundimisht pasojat e situatës së krijuar gjatë ditës së sotme”, thekson kryebashkiaku socialist Vangjel Tavo.

Për përmbytjet në Himarë ka reaguar dhe Omonia, e cila e konsideron të paimagjinueshëm faktin se një qytet rrëzë malit, mund të përmbytet nga reshjet e shiut. Sipas degës në Himarë, Bashkia e drejtuar nga Vangjel Tavo ka bërë vetëm propagandë dhe asnjë kanal nuk është pastruar.

“Një shi që zgjati vetëm pak minuta rrëzoi gjithë propagandën e kësaj bashkie me vota të importuara. Qytetarët e panë dhe e shohin me sytë e tyre. Buxheti “rekord”, i dyti në Shqipëri pas Tiranës, që u trumbetua me aq pasion, për çfarë shërben?

Për punë publike jashtë çdo standardi nga firmat e oligarkëve? Apo për të mbushur xhepat e shpuar të zyrtarëve lokalë, që prej 15 vitesh vetëm e kanë rrjepur këtë bashki?”, thuhet në reagimin e degës së Omonias në Himarë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT