Vendet që pranuan ftesën e Trump në shënjestër të sulmeve kibernetike, Argjentina njofton se është goditur edhe Shqipëria, institucionet shqiptare “kyçin gojën”

Argjentina gjatë ditëve të fundit ka qenë objekt i një sulmi të koordinuar kibernetik. Lajmi u konfirmua përmes një njoftimi zyrtar nga autoritetet e Buenos Airesit, të cilat informojnë se është tentuar që të goditet domeni zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Sipas njoftimit, sulmi i tipit Mohim i Shërbimit të Shpërndarë është identifikuar në kohë dhe është neutralizuar nga strukturat përkatëse të sigurisë kibernetike, pa sjellë ndërprerje apo pasoja në funksionimin e shërbimeve publike.

Por, ky rast është konsideruar pjesë e një fushate më të gjerë sulmesh, të koordinuara ndaj shteteve që janë pjesë e “Bordit të Paqes”, një nismë ndërkombëtare e krijuar në kuadër të zhvillimeve të fundit gjeopolitike dhe e ndërmarrë me inisiativën e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Si rrjedhojë, sulme të ngjashme sipas argjentinasve ka pasur edhe në faqet qeveritare shqiptare.

“Ky incident bën pjesë në një fushatë të koordinuar veprimesh hacktiviste, të drejtuara posaçërisht kundër vendeve që janë pjesë e Board of Peace, i krijuar nga Presidenti Donald J. Trump. Në këtë kontekst, u regjistruan gjithashtu sulme të ngjashme kundër faqeve qeveritare të Shqipërisë në ditët e mëparshme, çka konfirmon një model agresioni digjital ndaj shteteve anëtare të këtij hapësire strategjike”, thuhet në njoftimin e bërë nga pala argjentinase, ndërkohë që deri më tani nga ajo shqiptare nuk ka asnjë reagim sa i përket këtyre sulmeve.

Institucionet në vendin tonë nuk kanë bërë publike asnjë të dhënë, deklaratë konkrete lidhur me natyrën, përmasat apo pasojat e mundshme të këtyre sulmeve.

Vendet që pranuan ftesën e Trump në shënjestër të

Deklarata

Deklarata e plotë:

Sekretaria e Inteligjencës së Shtetit informon se Agjencia Federale e Inteligjencës Kibernetike ka parandaluar një sulm kibernetik të drejtuar kundër domenit zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Argjentinës.

Tentativa e agresionit, e tipit Mohim i Shërbimit të Shpërndarë (DDoS), u zbulua në fazë të hershme dhe u zmbraps me sukses nga ekipet teknike të specializuara, të cilat aktivizuan menjëherë protokollet përkatëse, duke shmangur çdo ndikim në funksionimin e shërbimeve publike.

Ky incident bën pjesë në një fushatë të koordinuar veprimesh hacktiviste, të drejtuara posaçërisht kundër vendeve që janë pjesë e Board of Peace, i krijuar nga Presidenti Donald J. Trump. Në këtë kontekst, u regjistruan gjithashtu sulme të ngjashme kundër faqeve qeveritare të Shqipërisë në ditët e mëparshme, çka konfirmon një model agresioni digjital ndaj shteteve anëtare të këtij hapësire strategjike.

Argjentina, si pjesë e këtij skeme të re ndërkombëtare të orientuar drejt mbrojtjes së stabilitetit dhe rendit global, është shndërruar në një nga objektivat e kësaj ofensive digjitale, në një skenar botëror të shënuar nga tensione dhe konflikte gjeopolitike në rritje.

Shteti argjentinas vazhdon të forcojë kapacitetet e tij të inteligjencës dhe sigurisë kibernetike për të parashikuar, zbuluar dhe neutralizuar këtë lloj agresioni, duke mbrojtur sovranitetin digjital, sigurinë kombëtare dhe interesat strategjike të vendit.

Sekretaria e Inteligjencës së Shtetit

Back to top button
LAJMET E FUNDIT