Vendimi i Kushtetueses për Ballukun, Rama: Ne do ta vazhdojmë betejën pavarësisht pafuqisë së gjykatës!

Në podcastin e tij “Flasim”, si çdo ditë të fundit të javës, kryeministri Edi Rama foli për momentet më kyçe të javës politike.

Sot, 8 shkurt, u ndal fillimisht te vizita e tij në Vatikan, duke thënë se ishte me peshë të veçantë prezantimi i tij me Papa Leonin XIV.

“Një njeri me dritë dhe mirësi të thellë. Folëm për Shqipërinë, rajonin, botën dhe që e ftova të jetë i pranishëm në festën e madhe, për 130-vjetorin e shpalljes së Zojës së Këshillit të Mirë, mbrojtësja e Shqipërisë. Nuk e di a do të jetë e mundur, por ftesa u bë dhe Papa u shpreh shumë i interesuar”, tha Rama.

Më tej, foli për debatin e madh të kohëve të fundit për pagat e gjyqtarëve.

“Pretendojnë se ne duam t’u ulim pagat dhe në një insistim krejt të pajustifikueshëm, thonë se pagat e tyre po ulen për shkak se pagat e të tjerëve po rriten. Ajo që kemi bërë me reformën në drejtësi, ka qenë shprehja e vullnetit të fortë edhe në drejtim të rritjes së pagave për gjyqtarët”, tha kreu i qeverisë, duke shtuar se “kështu u thye piramida e pagave”.

“Gjykatësit nuk mund të kenë një rritje pagash të përjetshme mbi të tjerët. Shpresoj që Kushtetuesja t’i vërë vulën njëherë e mirë këtij debati absurd që e dëmton besueshmërinë  e gjykatësve, padrejtësisht. Nuk janë të gjithë, janë një përfaqësi, që ka vajtur në Gjykatë Kushtetuese, ne jemi palë dhe kundër, fuqimisht kundër idesë, jo kundër tyre”, theksoi kryeministri.

“Shembull i parë i një budallallëku botëror”, e quajti vendimin e Kushtetueses për çështjen e Belinda Ballukut.

“Pavarësisht se qartësia është një luks i rrallë, që vështirë ta gjesh në turbullirën e 700 tenxhereve mediatike e politike, ministrja nuk akuzohet për korrupsion…

Ne do ta vazhdojmë këtë betejë, ku fatkeqësisht na mban akoma sot pafuqia e Kushtetueses për të marrë një vendim të thjeshtë, një vendim po aq të nevojshëm”, tha Rama, duke shtuar “se lajthitja e drejtësisë së re”, po krijojnë kosto për këtë shumicë qeverisëse.

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese, nuk e gjeti forcën për të mos lejuar rimarrjen peng të qeverisë shqiptare.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT