“Plagë e madhe e shqiptarëve”, 447 të burgosur fitojnë lirinë, Rama ZBULON një tjetër ndryshim në drejtësi: Ndërhyrje do të ketë dhe për paraburgimin

Kryeministri Edi Rama, në episodin e sotëm të podkastit “Flasim”, komentoi më tej dhe miratimin e projektligjit për amnistinë penale, nga e cila 447 të burgosur fitojnë liri të menjëhershme.

Në fjalën e tij kryeministri theksoi se me miratimin e këtij projektligji synohet shmangia e përdorimit të frocës represive të shtetit përmes ndëshkimit penal.

Përmes kësaj pritet të arrihet një rënie e numrit të të burgosurve si dhe ulje kostosh e përmirësim të cilësisë së jetesës në institucionet penitenciare.

Nga ana tjetër Rama përmendi keqpërdorimin e paraburgimit që është një plagë e madhe për vendin tonë. Një plagë e cila ka nevojë për ndërhyrje të shtetit që të shërohet shoqëria shqiptare.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Një tjetër vendim që besoj ia vlen të nënvizohet është miratimi i projektligjit për amnistinë penale. Një akt me ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin e sistemit tonë të drejtësisë penale, por dhe në frymën e kësaj drejtësie.

Dhe ky projekt përfshin lirimin e menjëhershëm të 447 personave nga institucionet e vuajtjes së dënimit, ulje dënimi për qindra persona të tjerë, aministimin nga masat alternative të shërbimit të proves, si dhe pushimin e ndjekjes penale për vepra penale të lehta.

Është një vendim që përfaqëson përsëri e përsëri një zgjedhje të qartë politike. Ta orientojmë drejtësinë drejt veprave që paraqesin rrezik real për shoqërinë dhe të shmangim përdorimin disproporcional të forcës represive të shtetit, përmes ndëshkimit penal për raste që nuk e justifikojnë përdorimin e forcës.

Kjo natyrisht do të sjellë pastaj efekt të vetin anësor, por shumë të rëndësishëm edhe uljen e mbipopullimit në burgje, uljen e kostove, por edhe rritjen e investimeve për të rritur cilësinë e jetës në institucionet tona penitenciare.

Ligji është i qartë. Ka kufij të mirëpërcaktuar. Nuk përfshin asnjë vepër të rëndë penale, krime kundër jetës, dhunës, korrupsioni, krimi i organizuar janë të përjashtuara nga amnistia.

Dhe në ndërkohë është një hap konkret që do të pasohet nga të tjerë në raport me idenë totalisht të keqshfrytëzuar dhe të keqpërdorur të paraburgimit.

Paraburgimi është një plagë në Shqipëri. Një plagë e evidentuar më së miri dhe më së qarti nga Komiteti për parandalimin e torturës i Këshillit të Europës. Një plagë me të cilën përballet çdo ditë shoqëria dhe ne jemi të vendosur që do të ndërhyjmë për ta shëruar këtë plagë me masa të tjera me atë që e kam quajtur reflektim i madh dhe për të cilin po punojmë me një sërë partneresh shumë të rëndësishëm europian për të bërë ndërhyrjet e duhura dhe pa humbur shumë kohë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT