“Fantazmat” pushtojnë selinë blu, demokratët e “çmendur” pas liderit të tyre shfrenojnë imagjinatën, aparati fotografik sipër Kryeministrisë kap protestuesit

Ndonëse protesta është parashikuar që të nisë në orën 17:00, ish-kryeministri Sali Berisha sapo ka mbërritur në ambientet e selisë.
Të shumtë janë ata protestues të cilët e kanë pritur jashtë ambienteve të selisë blu me brohoritje dhe flamujt bardhë e blu.
Madje disa prej tyre kanë “shfrytëzuar” mundësinë duke qenë kaq afër liderit të tyre që të shkrepin dhe ndonjë foto.
Pasi i përshëndeti demokratët entuziastë të cilët në këtë protestë e kanë “shfrenuar” imagjinatën e tyre me pankartat dhe veshjet e tyre me slogane të shkruara mbi to, Berisha u fut në seli ku dhe do të zhvillojë një mbledhje të shkurtër me Flamur Nokën dhe deputetët e tjerë.
Ndërkohë që pa filluar protesta disa prej protestuesve të mbledhur në Bulevard kanë hedhur sende të forta drejt efektivëve që janë vendosur kordon para ambienteve të Kryeministrisë. Madje disa prej tyre kanë tentuar që të heqin dhe gardhin metalik.
Sakaq në tarracën e Kryeministrisë disa fotografë kanë “shkrepur” foton e tyre për të dokumentuar përplasjet e protestuesve në Bulevard.
Në orën 17:00, para Kryeministrisë pritet të nisë protesta e radhës e thirrur nga Sali Berisha. Për të garantuar rendin dhe sigurinë, edhe kësaj radhe në terren do të angazhohen 1350 efektivë.
Ndërkohë, për garantimin e sigurisë do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:
-Nga ora 23:45 e ditës së sotme, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve deri në përfundim të tubimit, në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”;
-Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.