Vdiq pas operacionit në Tiranë! Pezullohet AUTOPSIA e biznesmenit italian: I mungojnë disa organe, trupi i viktimës “ngec” në Shqipëri

Detaje tronditëse kanë dalë në pah vdekja e biznesmenit italian, Massimo Ferro i cili humbi jetën pas një operacioni të kryer në klinikën “Trita Hospital”, në Tiranë.
Mediat italiane bëjnë me dije se ekzaminimet pas vdekjes janë të pamundura që të realizohen pasi në trupin e pacientit, mungonin disa organe të cilat iu hoqën gjatë autopsisë në Shqipëri, të cilat gjenden në laboratorin e mjekësisë ligjore në Tiranë. Një ndër organet që mungojnë viktimës është stomaku, që konsidferohet i rëndësishëm për kryerjen e ekzaminimeve.
Për rrjedhojë në lidhje me këtë situatë “Il Gazzettino’ shkruan se mjeku ligjor në Padova do të duhet të presë përfundimin e analizave nga kolegët e tij në Tiranë. Më pas të kërkojë që përmes një letër porosie të mundësojë dorëzimin e dokumentave të nevojshme për të kryer vlerësimin e tij, që më pas t’i dorëzojë në Prokurori.
Ndërsa trupi i të ndjerit pritet t’u dorëzohet familjarëve për të kryer ceremoninë mortore. Por pa u kryer autopsia tërheqja e trupit të viktimës është e pamundur.
Si ndodhi ngjarja e rëndë:
Massimo Ferro, 54 vjeç, sipërmarrës nga qyteti Camposampiero, kishte vendosur t’i nënshtrohej një operacioni për zvogëlimin e stomakut. Ai iu drejtua një klinike private në Milano, e cila i propozoi ndërhyrjen kirurgjikale jo në Itali, por në Tiranë, në një klinikë të lidhur me atë italiane.
Çmimi i operacionit ishte 4.400 euro, shumë më i ulët krahasuar me rreth 15.000 euro që kërkoheshin në Itali. Kontakti mes Ferros dhe kirurgut u zhvillua përmes mesazheve në ËhatsApp, ku u diskutuan kostot, procedura dhe organizimi i udhëtimit. Më 6 dhjetor 2025, Ferro u paraqit në takim së bashku me djalin e tij të madh, ku iu shpjegua se ndërhyrja do të kryhej me teknikë laparoskopike dhe se procedura ishte e shpejtë dhe e sigurt.
Pavarësisht se pacienti vuante nga diabeti i tipit 2 dhe peshonte 108 kilogramë, operacioni u planifikua për datën 18 dhjetor në Tiranë. Analizat para operacionit, të cilat zakonisht kryhen disa javë përpara, u lanë për t’u realizuar vetëm një ditë para operacionit, pasi Ferro nuk i kishte kryer ato në Itali. Më 17 dhjetor, ai mbërriti në Tiranë së bashku me bashkëshorten e tij.
Sipas ankesës së familjes, nuk u respektuan procedurat e parashikuara nga udhëzimet italiane dhe ndërkombëtare për kirurgjinë e obezitetit.
Ashtu si dhe ishte planifikuar, operacioni i krye më 18 dhjetor dhe menjëherë pas ndërhyrjes, Massimo Ferro kontaktoi familjen për t’i siguruar se gjithçka kishte shkuar mirë. Megjithatë, që nga dita pasuese, gjendja e tij shëndetësore nisi të përkeqësohej. Ai u bë gjithnjë e më i përgjumur, reagimi i tij ishte i dobët dhe niveli i sheqerit në gjak mbeti i lartë. Më 20 dhjetor, ai shfaqi temperaturë 38 gradë Celsius dhe u trajtua vetëm me paracetamol.
Më 21 dhjetor, temperatura i u rrit në 39 gradë dhe ai filloi të kishte vështirësi serioze në frymëmarrje. Për këtë arsye u dërgua me urgjencë në spitalin publik “Nënë Tereza” në Tiranë, ku iu kryen disa analiza. Sipas familjes, antibiotiku iu dha vetëm në mbrëmje, përpara se të rikthehej sërish në klinikën private. Gjatë natës, gjendja e tij u përkeqësua ndjeshëm.
Në mëngjesin e 22 dhjetorit, Massimo Ferro pësoi një arrest kardiak në klinikë. Ai u ringjall dhe u transportua me ambulancë në repartin e kujdesit intensiv të spitalit publik. Fillimisht u njoftua se gjendja ishte stabilizuar, por në mbrëmje bashkëshortja e tij mori një telefonatë urgjente. Kur mbërriti në spital, Massimo Ferro kishte ndërruar jetë prej disa orësh.