Gjykata urdhëroi dje që të burgosej, si u fut Edison Memolla në politikë pas vdekjes së xhaxhait kryebashkiak, fitoi tre herë radhë zgjedhjet për Rrogozhinën (HISTORIA)

Bashkia e Rrogozhinës do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pasi këtë të hënë Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi dënimin me burg për kryebashkiakun socialist Edison Memolla.
Ai është shpallur fajtor për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim. Në vitin 2023 kur u rikonfirmua si kryebashkiak, ai kishte mundur të fitonte për herë të tretë zgjedhjet në Bashkinë e Rrogozhinës, raporton newsbomb.al.
Edison Memolla fitoi në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit 2022 dhe kur erdhën zgjedhjet e rregullta lokale më 14 Maj 2023, ai fitoi sërish. Opozita e kontestoi rezultatin dhe zgjedhjet u përsëritën më 23 Korrik 2023, pra pas dy muajve. Memolla fitoi sërish.
Por si arriti politikani 36 vjeçar (atë kohë, 2023) të bëhej pjesë e politikës dhe fitonte bindshëm besimin e socialistëve të Rrogozhinës?!
Edison Memolla është nipi i kryebashkiakut të ndjerë të kësaj bashkie, Haxhi Memolla. I zgjedhur i socialistëve në zgjedhjet lokale të vitit 2019 ndërroi jetë një vit më pas, nga një infakt në zemër.
Mesditën e së shtunës së 22 Shkurtit 2020, Haxhi Memolla kishte shkuar në Peshkopi të ndiqte një ndeshje futbolli mes Korabit dhe Egnatias, raporton newsbomb.al.
Në pushim të pjesës së parë të ndeshjes, kryebashkiaku Haxhi Memolla kishte shkuar në një bar pranë stadiumit të konsumonte kafe, por ka ndjerë papritur shtrëngime të forta në zemër. Të pranishmit dhe ekipi mjekësor janë munduar t’i japin ndihmën e parë, por 52 vjeçari nuk ka mundur të jetojë.
Mes trishtimit dhe dhimbjes për ikjen e një bashkëpunëtori dhe një politikani lokal të respektuar, zyrtarët e Partisë Socialiste vendosën që të komandonin në krye të Rrogozhinës nipin e tij, Edison Memollën. Në atë kohë shumë më i ri, ai e drejtoi për dy vite bashkinë si i komanduar.
Zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit 2022 erdhën shpejt dhe Edison Memolla duhet të bënte përballjen e parë me kundërshtarët. Partia Demokratike doli me dy kandidatura të ndryshme, të cilat i besuari i socialistëve arriti t’i mposhtte me një fitore të thellë.
14 Majit 2023 ishte data e radhës për zgjedhjet lokale në të 61 bashkitë e vendit dhe Edison Memolla mori besimin e strukturave të Partisë Socialiste për të rikandiduar. Edhe këto zgjedhje ai i fitoi por rezultati ishte shumë i ngushtë dhe i kontestueshëm ndaj u vendos që të rivotohej.
Zgjedhjet u përsëritën dy muaj pas zgjedhjeve të rregullta, më 23 Korrik 2023, dhe sërish kryebashkiaku socialist i Rrogozhinës arriti të rikonfirmohej me një rezultat edhe më bindës, me mbi 1 mijë vota më tepër, raporton newsbomb.al.
Dje, rreth 6 vite pas ndarjes nga jeta të xhaxhait dhe futjes së tij në Bashkinë e Rrogozhinës si kryetar, Edison Memolla është shpallur fajtor për ndikim në zgjedhjet e fundit, dhe me urdhër të Gjykatës së Posaçme të Apelit është dërguar në qeli, ku duhet të vuajë dënimin me 1 vit burg.